Në vitin 2018, brenda 10 ditësh kërkimi intensiv, dy policët e zhdukur ishin gjetur të vdekur në lumin Lepenc. Kjo ishte rrjedhojë e një aksidenti në magjistralen Hani i Elezit-Kaçanik. Vetura e tyre zyrtare kishte devijuar nga rruga, duke rënë në lumë.
Shiqerie e Shemsedin Dashi, prindërit e policit të vdekur, Malsor Dashi, para 6 vjetëve as në ëndrrat e tyre më të këqija, nuk e kishin menduar se të gjallë do ta përjetonin humbjen e të birit, raporton Kiks Kosova.
Në një rrëfim krejtësisht të kapluar nga lotët, krenaria e zhgënjimi, prindërit e policit, hapën zemrën, duke folur për ditët e tmerrit, bisedat që bëjnë me Malësorin pranë varrit të tij dhe trajtimi që morën apo s’morën nga shteti i Kosovës.
Çdo të lumen ditë, çifti sjell në kujtim momentet e lumtura kur Malësori kishte ardhur në jetë. Pas pesë motrave, familjes iu kishte lindur djali e motrave vëllai.
Pas 27 vjetësh, gëzimi i Malësorit u kthye në funeral. E gjithë familja e i gjithë fshati, pas gati 6 vjetësh, vazhdojnë të mbajnë zi për humbjen e policit të Kosovës, bashkëfshatarit të tyre.
Pllaka e varrit është vendi i vetëm ku familja Dashi mund ta shohin fytyrën e të birit. Kjo sepse motrat e Malësorit larguan çdo fotografi të tij nga shtëpia për të ruajtur shëndetin e prindërve të tyre, të cilët sëmureshin sa herë që merrnin fotografitë në dorë e kujtonin momentet me të.
“Askujt më bukur se ty nuk i rri kjo uniformë”, janë fjalët që zonja Shiqerie kujton nga bisedat që kishte me Malësorin kur ai kishte vendosur t’i shërbente Policisë së Kosovës.
Lajmi për vdekjen e tij ishte i papërballueshëm për prindërit e Malësorit.
Për ditë të tëra, ata u mbyllën të vetëm në dhomë dhe madje menduan edhe vetëvrasjen.
Malësori, i cili atëkohë po planifikonte të martohej dhe familja po bënte përgatitjet e fundit për ceremoninë, ditën e fundit që kishte dalë nga shtëpia, gjyshes i kishte thënë se po e shihte për herë të fundit.
Ndonëse mësuan të jetojnë pa të, dhimbja për humbjen e Malësorit sa shkon e shtohet çdo ditë. Me zemër të thyer, zonja Shiqerie thotë se Kosovës ia fali vdekjen e të birit.
Për të qenë sa më afër varrit të të birit, i cili humbi jetën në moshën 27-vjeçare, prindërit e Malësorit jetojnë të vetëm në shtëpinë e tyre në fshatin Stagovë të Kaçanikut.
Të vetëm në fshat ata po i ndal vetëm një arsye.