Vajza “bionike” që nuk ndien fare dhimbje

2 minutes, 15 seconds Read

Olivia Farnsworth ka një gjendje gjenetike aq unike, sa që mund të jetë personi i vetëm në botë që i ka simptomat “bionike”, shkruan “The Sun”.

Vajza ha shumë pak, nuk fle shumë dhe nuk ndien fare dhimbje. Madje kishte qenë në gjendje të ecte pa telashe edhe pasi u godit në një rast nga një veturë.

Gjendja, e njohur si “fshirja e kromozomit të gjashtë”, nënkupton që Olivias i mungon material gjenetik në kromozomin e gjashtë.

Mendohet se ekzistojnë vetëm 100 persona me këtë gjendje, por thuhet se Olivia është personi i vetëm që ka tri lloj simptome që e bëjnë atë “supernjeri”.

Olivia është 14-vjeçare. Nëna e saj kujton kur para shtatë vjetëve ajo ishte goditur nga një veturë dhe ishte tërhequr zvarrë për disa metra. Por, u ngrit në këmbë dhe nuk ndjeu fare dhimbje.

“Ajo u godit nga vetura dhe u tërheq zvarrë në rrugë, por nuk u ankua fare. Ishte skenë e tmerrshme. Unë dhe fëmijët po bërtisnim. Por, Olivia thjeshtë tha ‘Çfarë po ndodh?’ U ngrit në këmbë dhe erdhi tek unë. Në spital më thanë se është ‘bionike’. Për shkak të goditjes që pati ajo ka mundur të ketë lëndime shumë më të rënda”, thotë nëna e Olivias, Niki Trepak.

Olivia mori lëndime. Humbi pak lëkurë në ije dhe po ashtu kishte shenjat e gomave të veturës në gjoksin e saj.

Por, kur shkoi në spital, mjekët ishin të shtangur që lëndimet nuk ishin më keq.

Ata thanë se këtu kishte ndikuar fakti se Olivia nuk ndien frikë, kështu që trupi i saj nuk është tensionuar dhe ka absorbuar goditjet më mirë.

Nëna e saj tregon se Olivia ishte ndryshe që si foshnjë, pasi nuk qante dhe nuk i rriteshin flokët.

Ajo më pas zgjidhte ushqimet. Hëngri vetëm bukë me gjalpë për një vit.

Frika e prindërve se ajo do të mbetej e uritur po të mos hante ushqime të shëndetshme nuk qëndronte, pasi Olivia kurrë nuk ndihej e uritur.

“Nëse e shihni Olivian atëherë nuk e kupton se diçka nuk shkon me të. Por, dua që njerëzit ta dinë dhe të mos e gjykojnë. Ajo do të jetë e para që ndan sheqerkat me ju. Ka personalitetin më të mirë. Ajo është e çmendur, por në mënyrë të mirë. Të gjithë tjerët qeshin me të, pasi është aq e hareshme. Ajo thotë po kërcejmë nga këtu dhe fëmijët tjerë thonë, ‘Jo është tepër lartë!’”, tregon Niki.

Publikime te ngjashme