Ugljanin: “Serbët në Kosovë të privilegjuar, ne dhe shqiptarët e Luginës të poshtëruar”

1 minute, 39 seconds Read

Kryetari i Partisë së Veprimit Demokratik të Sanxhakut, Sulejman Ugljanin, ka kërkuar që boshnjakët “të përfshihen aktivisht” në negociatat për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai në konferencën për media tha se një kërkesë e tillë ka ardhur nga pakënaqësia me statusin e boshnjakëve në Serbi, njëjtë si shqiptarët në Luginë të Preshevës.

“Ftoj zyrtarisht presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të mos marrin pjesë në bisedime derisa të vendosen edhe çështjet e Sanxhakut dhe Luginës së Preshevës në agjendë”, tha Ugljanin.

Ai deklaroi se nga bisedimet e Brukselit serbët në veri të Kosovës po vihen në pozitë të privilegjuar dhe për këtë arsye “boshnjakët e Sanxhakut dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës ndihen të lënduar dhe të poshtëruar”.

“Ne i dëshirojmë gjithë të mirat serbëve në Serbi dhe serbëve në Kosovë, por po kërkojmë mundësinë që të jemi të barabartë. Pa reciprocitet dhe simetri të të drejtave, nuk ka paqe të qëndrueshme”, theksoi ai.

Kreu i SDA-së në Sanxhak, i bëri të njëjtën kërkesë Vuçiç-it dhe Kurtit, si dhe komunitetit ndërkombëtar, në fillim të vitit, por, siç tha ai, mori një përgjigje negative nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

“Unë nuk jam keqdashës, bëhet fjalë për faktin se përfaqësuesit e BE-së po ndihmojnë ideologjinë serbe dhe, le ta quajmë, ka mbetje të islamofobisë evropiane”, tha ai.

Ai deklaroi se nuk sheh arsye tjetër që ata të përjashtojnë plotësisht boshnjakët dhe shqiptarët nga procesi i negociatave.

“I bëjmë thirrje Lajçak-ut dhe Borrell-it që ta korrigjojnë gabimin”, tha Ugljanin.

Publikime te ngjashme