Trump thyen heshtjen për luftën me Iranin: Kush e detyroi kë – Uashingtoni apo Tel Avivi?

4 minutes, 35 seconds Read

Donald Trump u përpoq të zbusë reagimet e ashpra anti-izraelite brenda Kongresit dhe mes mbështetësve të tij besnikë të lëvizjes MAGA, duke hedhur poshtë pretendimet se u detyrua të sulmonte Iranin vetëm sepse Izraeli kishte vendosur ta bënte një gjë të tillë.

Mes kritikave në rritje si nga kundërshtarët, ashtu edhe nga aleatët, Trump i cilësoi si të pabaza zërat se ndërhyrja amerikane erdhi si pasojë e diktatit të Tel Avivit, një dyshim ky që u nxit veçanërisht nga komentet e Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio.

e designplus-ks.com
Smart Watches
Buy Now
Headphones
Buy Now

I pyetur drejtpërdrejt nëse Izraeli e kishte shtyrë drejt aksionit ushtarak, Trump u përgjigj prerë para gazetarëve: “Jo. Mund t’i kem detyruar unë ata”.

“Ne po negocionim me këta të çmendur dhe bindja ime ishte se ata do të goditnin të parët; po të mos vepronim ne, sulmi i tyre ishte i pashmangshëm,” shtoi ai, duke insistuar se besonte fort në domosdoshmërinë e sulmit parandalues.

Demokratët në Senat reaguan me tërbim pasi Rubio la të kuptohej gjatë një vizite në Capitol Hill se goditjet e së shtunës ishin nxitur nga nevoja për të parandaluar hakmarrjen iraniane ndaj forcave amerikane, si reagim ndaj sulmeve izraelite që Uashingtoni i njihte paraprakisht.

Komentet e Rubios, të bëra pas një takimi informues me drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, dhe gjeneralin Dan Caine, nxitën dyshime në të dyja anët e spektrit politik se interesat e Izraelit, e jo ato të ShBA-së, po diktonin këtë luftë të hapur.

“E dinim se do të kishte një lëvizje izraelite dhe se kjo do të shpejtonte sulmet ndaj trupave tona; po të mos i goditnim paraprakisht, do të kishim viktima shumë më të mëdha,” u tha Rubio gazetarëve të hënën.

Ky arsyetim ka nxitur zemërim si te demokratët, ashtu edhe te segmentet e bazës së Trumpit, të cilët e shohin kohën e sulmit si kundërshtim me parimin “Amerika e Para”, shkruan The Guardian.

Ligjvënësit demokratë po e përdorin shpjegimin e Rubios si argument për të kërkuar kufizimin e kompetencave të luftës përmes rezolutave në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, duke insistuar në konsultimin e detyrueshëm me Kongresin, transmeton Sinjali.

“Duhet të zhvillojmë një debat urgjent mbi autorizimin e forcës ushtarake,” deklaroi senatori Chris Murphy, duke e cilësuar këtë luftë si jopopullore, imorale dhe të paligjshme, pavarësisht gjasave që rezoluta e tyre të dështojë.

Derisa sesioni informues synonte qartësimin e qëllimeve të konfliktit, shumë demokratë vlerësuan se administrata dështoi të artikulonte objektivat, duke rritur frikën se ShBA-ja mund të ngecë në një konflikt të pafundmë.

Udhëheqësi i pakicës, Chuck Schumer, paralajmëroi se mungesa e një plani konkret çon pashmangshëm drejt zvarritjes së misionit dhe problemeve të rënda strategjike në terren.

Në anën tjetër, republikanët në përgjithësi mbrojtën qasjen e Trumpit, duke argumentuar se ai eliminoi një regjim despotik që ka një histori të gjatë të vrasjeve të amerikanëve në rajon.

“Kemi humbur mijëra njerëz gjatë 47 viteve pa bërë asgjë; ky kërcënim duhej asgjësuar dhe regjimi duhej të rrëzohej,” deklaroi senatori Markwayne Mullin.

Shqetësimet mbi rolin e Izraelit vijnë në një kohë kur mbështetja për këtë shtet ka rënë ndjeshëm pas luftës në Gazë, ku sipas sondazheve, ofensiva që vrau 70 mijë palestinezë ka ndryshuar perceptimin e amerikanëve.

Trump ka ofruar arsyetime të ndryshme për sulmet, duke përfshirë vrasjen e liderit suprem Khamenei, derisa mbetet e paqartë nëse do të dërgojë trupa tokësore në front, gjë që do të nxishte kritika edhe më të ashpra.

Sipas deklaratës së tij fillestare, qëllimi kryesor mbetet mbrojtja e popullit amerikan përmes eliminimit të kërcënimeve direkte që vijnë nga regjimi i Teheranit.

Megjithatë, figura me ndikim pro-Trump në mediet sociale po sfidojnë këtë justifikim, duke parë te deklaratat e Rubios një pranim të faktit se lufta po zhvillohet për interesa të huaja.

“Rubio pranoi atë që dyshonin shumica; kjo është një kthesë rrënjësore në politikën e jashtme që do të sjellë thirrje masive për tërheqje,” shkroi Mike Cernovich.

Edhe Matt Walsh u shpreh se fakti që ShBA-ja hyri në luftë sepse Izraeli e detyroi, përbën dështimin më të madh të mundshëm për politikat e kësaj administrate.

Steve Bannon kërkoi një shpjegim strategjik se ku ishte koordinimi, nëse dihej që Izraeli do të sulmonte dhe do të provokonte një hakmarrje iraniane ndaj forcave amerikane.

Dyshimet për ndikimin e Tel Avivit shtohen pas vizitave të Benjamin Netanyahut, i cili ka kërkuar vazhdimisht goditjen e teokracisë iraniane, duke e vizituar Trumpin disa herë muajve të fundit.

“Ky koalicion na mundëson të bëjmë atë që kam dëshiruar prej 40 vitesh: ta godasim regjimin terrorist në palcë,” deklaroi Netanyahu të dielën, duke e cilësuar këtë si përmbushje të premtimeve të tij.

Lidhur me viktimat e para amerikane, gazetarja Megyn Kelly kritikoi ashpër situatën, duke pohuar se asnjë amerikan nuk duhet të vdesë për një vend të huaj, qoftë ai Irani apo Izraeli./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme