Tregon mercenarët e vdekur, kreu i Wagner njofton tërheqjen e trupave nga Bakhmut më 10 maj

1 minute, 38 seconds Read

Lideri i grupit të mercenarëve të Wagner, Yevgeny Prigozhin, kërcënoi me tërheqjen e trupave nga qyteti ukrainas Bakhmut, nëse nuk furnizohet me armatime nga ushtria ruse. Në një video të siguruar nga Reuters, Prigozhin – i cili njihe edhe si “kuzhinieri i Putinit” pasi dikur drejtonte kompaninë e kateringut të Kremlinit – njoftoi se trupat e drejtuara prej tij do të largohen më 10 maj.

“Po flas në emrin tim dhe në emër të komandantëve e luftëtarëve të Wagner”, tha Prigozhin. Deklarata u bë pak orë pasi ai kishte publikuar një tjetër video, ku shante dhe akuzonte gjeneralët e Rusisë për mosdërgimin e armatimeve në frontin e luftës.

Duke pozuar ngjitur me trupat e ushtarëve të vrarë të Wagner, ai thotë: “Këta janë burra të Wagner, të cilët vdiqën sot. Gjaku nuk është tharë ende. Filmoji të gjithë. Tani, dëgjomëni mua, ju maskarenj! Këta janë baballarë fëmijësh e djem nënash. Dhe ata maskarenj, të cilët nuk po na japin armatimet, do të përfundojnë në ferr, duke u gërryer përbrenda. Kemi 70% armatime më pak. Shoigu! Gerasimov! Ku dreqin janë armatimet?! Shikojini!  Nëse na jepni sasinë normale të armatimeve do të ketë pesë herë më pak nga këta. Erdhën vullnetarisht këtu. Po vdesin që ju të kapardiseni në zyrat tuaja. Mbajeni mend këtë!”.

Roli i Wagner në luftën në Ukrainë është shtuar gjithmonë e më shumë muajt e fundit, por taktikat shpesh të paligjshme dhe brutale që përdorin mercenarët kanë bërë që numri i vdekjeve të jetë tepër i lartë.

Por kjo nuk e ka penguar Prigozhinin që të përplaset me autoritetet më të larta ruse, gjithmonë duke u kujdesur që të shmangë sulmet e drejtpërdrejta ndaj Vladimir Putinit. Në shkurt ai akuzoi ministrin e Mbrojtjes, Shoigu dhe Gjeneralin Gerasimov për tradhti.

Publikime te ngjashme