Tragjedi në Kherson: Rusia akuzon Ukrainën për sulmin me dron që la 27 të vdekur gjatë festimeve

1 minute, 8 seconds Read

Autoritetet ruse njoftuan këtë të premte se bilanci i viktimave nga një sulm me dron në rajonin e pushtuar të Khersonit ka arritur në 27 persona, duke ia faturuar përgjegjësinë forcave ukrainase.

Svetlana Petrenko, zëdhënëse e Komitetit Hetimor të Rusisë, saktësoi se një mjet fluturues ukrainas goditi një kafene dhe një hotel në fshatin Khorly, raporton agjencia AP. Në çastin e goditjes, në ambientet e shënjestruara ndodheshin të paktën 100 civilë që po festonin ardhjen e Vitit të Ri. Sipas raportimeve zyrtare, mes 27 të vdekurve rezultojnë edhe dy të mitur, ndërsa 31 persona të tjerë, përfshirë pesë fëmijë, janë dërguar me urgjencë në spital për trajtim mjekësor.

Si pasojë e kësaj ngjarjeje, autoritetet ruse kanë bërë të ditur nisjen e një hetimi penal me akuzën për terrorizëm.

Nga ana tjetër, Kievi zyrtar ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat për shënjestrimin e civilëve. Dmytro Lykhovii, zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Ukrainës, deklaroi për transmetuesin publik “Suspilne” se forcat ukrainase operojnë në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare humanitare. Ai nënvizoi se sulmet e tyre drejtohen ekskluzivisht ndaj objektivave ushtarake, sektorit rus të energjisë dhe pikave të tjera strategjike të ligjshme./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme