Tha “bismilah” para se të hante lëkurë derri, dy vjet burgim për influenceren nga Indonezia

1 minute, 26 seconds Read

Një gjykatë në Indonezi ka dënuar një grua me dy vjet burgim pasi kishte postuar një video në “TikTok” e cila u bë virale, e ku ajo tha një frazë myslimane para se të hante lëkurë derri, raporton BBC.

Lina Lutfiawati 33-vjeçare u shpall fajtore për “nxitje të urrejtjes”.

Ajo po ashtu u gjobit me 16 mijë e 245 euro. Dënimi i saj me burgim mund të rritet edhe për tre muaj, nëse nuk e paguan gjobën.

Është rasti i radhës në të cilën është aplikuar ligji kundër blasfemisë në Indonezinë me shumicë myslimane.

Lina Lutfiawati, e njohur si Lina Mukhherjee, identifikohet si myslimane. Infulencerja, që ka mbi 2 milionë përcjellës në TikTok, po ashtu udhëheq një biznes në Indi.

Në mars, ajo postoi një video duke thënë “bismilah”, para se të hante lëkurë derri.

Në atë kohë, ajo po udhëtonte në Bali, një vend i njohur turistik në Indonezi.

Videoja pati miliona shikime dhe ngjalli reagime. Policia hapi rast ndaj saj në maj, duke thënë se veprimet e saj janë armiqësore kundër etnitetit, fesë dhe racës.

Shumë grupe konzervatore në Indonezi kanë bërë thirrje për dënimin e infulenceres, duke thënë se videoja e saj është blasfemi.

Por, grupet e të drejtave të njeriut në Indonezi, gjatë i kanë kritikuar ligjet anti-blasfemi në Indonezi.

Policia e Indonezisë vitin e kaluar arrestoi gjashtë persona pasi një bar kishte promovuar alkool falas, për konsumatorët me emrin Mohammed.

Në vitin 2017, ish-fuvernatori i Jakartas, Basuki Tjahaja Purnama, u dënua me gati dy vjet burgim për deklaratat që dha e që u tha se kishin fyer fenë islame.

Publikime te ngjashme