Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje sërish kanë refuzuar ta votojnë rezolutën në përkrahje të Policisë së Kosovës, e cila është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Në lidhje me raportimet se VV-ja do ta përkrah rezolutën e PDK-së, nëse opozita i voton marrëveshjet ndërkombëtare, kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në një prononcim për Klankosova.tv tha se atij s’i është thënë asnjëherë një gjë e tillë.
“Ne nuk bëjmë pazare me Policinë e Kosovës. Ne refuzojmë që të bëjmë pazare për mbështetjen e policisë, ku ne kërkojmë shtesat e rrezikshmërisë, sigurim shëndetësor që nga janari i vitit të ardhshëm dhe pensionim të parakohshëm”.
“Mua, si kryetar i grupit parlamentar të PDK-së asnjëherë s’më është thënë se në rast se ne i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare, atëherë VV-ja do ta votojë rezolutën. Por, po e përsëris, ne nuk bëjmë pazare sa i përket Policisë së Kosovës”, tha Tahiri.
Tutje, ai tha se që nga propozimi i kësaj rezolutë, PDK-ja s’ka pasur asnjë sinjal nga Lëvizja Vetëvendojse se ata do ta votojnë rezolutën e cila do ta përkrahte Policinë e Kosovës.