Rreth 373 milionë shtetas të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të mund të votojnë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, që do të mbahen më 6-9 qershor.
Çfarë është Parlamenti Evropian?
Parlamenti Evropian është trupi i vetëm i Bashkimit Evropian që përfaqëson shtetasit e vendeve anëtare. Funksioni i tij primar përfshin negocimin e ligjeve të BE-së me anëtarë të qeverive, që përfaqësohen prej Këshillit Evropian.
Parlamenti Evropian, po ashtu, miraton buxhetin e BE-së dhe voton për marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe për zgjerimin e bllokut evropian.
Ky institucion ka përgjigjegësi mbikëqyrëse, përfshirë fuqinë për të miratuar apo refuzuar emërimin e presidentit të Komisionit Evropian – pozitë në të cilën është aktualisht Ursula von der Leyen e Gjermanisë – dhe të komisionarëve.
Për dallim prej parlamenteve kombëtare, Parlamenti Evropian nuk ka të drejtë të propozojë ligje, por mund të negociojë ligjet e propozuara prej Komisionit Evropian.
Parlamenti Evropian përbëhet prej 720 anëtarëve dhe zgjedhjet për të mbahen çdo pesë vjet.
Deputetët e këtij instutucioni e zgjedhin më pas presidentin për një mandat dy vjet e gjysmë.
Presidentja aktuale në largim është Roberta Metsola e Italisë.
Kush mund të votojë?
Në 21 vende anëtare mund të votojnë shtetasit mbi moshën 18-vjeçare.
Në Belgjikë, Gjermani, Austri dhe Maltë, mosha minimale është 16-vjeçare.
Shtetasit e Greqisë, që kanë mbushur 17 vjet në vitin zgjedhor, do të mund të votojnë po ashtu, ndërsa në Hungari, individët e martuar mund të votojnë pavarësisht moshës.
Shtetasit e BE-së mund të votojnë në shtetin e tyre të origjinës, apo edhe prej jashtë.
Votimi prej jashtë është i lejuar në të gjitha vendet anëtare, përveç në Çeki, Irlandë, Maltë dhe Sllovaki.
Në Bullgari dhe Itali, kjo e drejtë u takon vetëm atyre që jetojnë brenda bllokut evropian.
Shtetasit që jetojnë në ndonjë vend tjetër të BE-së mund të zgjedhin për të votuar prej shtetit të origjinës, apo për kandidatët e shtetit ku jetojnë.
Votuesit mund të zgjedhin se për cilin kandidat të cilit vend do të votojnë, mirëpo nuk u lejohet që të votojnë në dy shtete në të njëjtën kohë.
Si votohet?
Në disa vende anëtare, votuesit do të mund të zgjedhin një kandidat prej listave të ngushta – pra nuk lejohet ndryshimi i rendit të kandidatëve të preferuar – ndërsa në disa vende tjera, ata mund të zgjedhin kandidatët individualisht, përmes një sistemi preferencial.
Varësisht prej ligjeve kombëtare, disa votues mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre në ambasadat kombëtare, përmes postës, apo në mënyrë elektronike.
Kush mund të garojë si kandidat?
Votuesit mund të zgjedhin kandidatë individualë apo delegatë të partive politike, varësisht prej shtetit.
Pasi të zgjidhen, politikanët prej secilit vend mblidhen nëpër grupe evropiane, varësisht prej orientimeve politike, për të formuar Parlamentin.
Disa vende anëtare, përfshirë Gjermaninë, përcaktojnë që për zgjedhjet e Parlamentit Evropian mund të nominohen vetëm pjesëtarë të partive politike apo figura të lidhura me politikën.
Individët e zgjedhur nuk mund të mbajnë pozita në qeveritë kombëtare apo trupa tjera politikë, sikurse Komisioni Evropian, Gjykata e Drejtësisë apo Gjykata e Audituesve.
Mbi të gjitha, të gjithë kandidatët duhet të jenë shtetas të BE-së.
Parashikimet për zgjedhjet e vitit 2024
Gjashtë prej 10 shtetasve të BE-së kanë shprehur interesim për të votuar në këto zgjedhje, ka treguar një sondazh i kryer prej Agjencisë së Statistikave të BE-së, Eurostat, në prill.
Parashikimet e sondazhit tjetër Europe Elects tregojnë që prej 720 ulëseve në Parlamentin Evropian, grupi i Partisë Popullore Evropiane – që i përket qendrës së djathtë – do t’i fitojë 180 ulëse, Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve – që i takon qendrës së majtë – pritet të fitojë 138 ulëse, ndërsa Rinovoni Evropën, parti liberale e qendrës, pritet të fitojë 86 ulëse.
Konservatorët dhe Reformistët Evropianë pritet të fitojnë 75 ulëse, ndërsa Identiteti dhe Demokracia pritet të fitojë 68 ulëse.
Partitë tjera më të vogla pritet të fitojnë së bashku 173 ulëse, sipas sondazhit.
Rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2019
Në zgjedhjet e kaluara ka ndodhur një ndryshim i madh në forcat partiake, pasi partitë e qendrës së djathtë dhe ato të qendrës së majtë kanë humbur një pjesë të votave kundrejt partive më të vogla.
Partia Popullore Evropiane dhe Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve kanë humbur 76 ulëse së bashku.
Kjo nënkupton se ato kanë humbur shumicën, që e kanë gëzuar për kohë të gjatë.
Diçka e tillë ka rezultuar me krijim të koalicioneve me grupet partiake të qendrës dhe ato pro BE-së, sikurse Rinovimi i Evropës dhe Të Gjelbrit.
Dalja në votime atë vit pati arritur në 50.66 për qind – shifrën më të madhe në 20 vjet – çka përbën rritje prej 8 për qind prej vitit 2014.
Një realitet i tillë tregon për një rritje të interesit publik në çështjet si ndryshimet klimatike, migrimi dhe pabarazia ekonomike.