Partitë opozitare në vend, morën një goditje të madhe, pas publikimit të sondazhit më të ri nga kompania “UBO Consulting”.
Gjatë omnibusit të rregullt të UBO Consulting, qytetarët janë pyetur edhe në sondazhin se për kë do të votonin nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel.
Bazuar në këto matje të opinionit publik, del se Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë forca e parë politike në vend, ku në tre muajt e fundit e ka ruajtur mbështetjen e saj, duke dalë kështu me 49.6 për qind.
Ajo pasohet nga PDK-ja e cila gati ka ruajtur përqindjen e njëjtë krahasuar me sondazhin e marsit, me 17% të votave.
E treta del LDK-ja. Sërish me një trend të dukshëm të rënies, me 15.5% të votave. “Frika” e partisë së Lumir Abdixhikut që të shkohet në zgjedhje, duket se partisë i ka kushtuar me rënie në sondazh.
Derisa, koalicioni AAK-NISMA janë befasia e sondazhit të qershorit. Ky koalicion tek tash, sipas këtij sondazhi, ka nisur të jap efekt elektoral. Koalicioni i partisë së Ramush Haradinajt me Fatmir Limajn ka kapur 8.6% të mbështetjes, duke rezultuar se është rritur 1.7% më shumë se sa në mars kur kishin rezultuar me 6.9% të mbështetjes.
Një rritje të lehtë në sondazh e ka Lista Guxo e dyshes Gërvalla-Peci. Nga 0.6% sa kishte dal në mars, kjo parti në qershor rezultoi 0.7%.
E këto rezultate, i komentuan analistët politikë, derisa thanë se kjo po del të jetë një goditje e madhe për partitë opozitare.
Ahmeti: Sondazhi goditje e madhe për partitë opozitare
Analisti politik, Hidajet Ahmeti në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot”, potencoi se ky sondazh do krijoje panikë te opozita dhe mbështetësit e tyre.
“Padyshim që rezultati i matjes së opinionit i publikuar nga “UBO consulting” është një goditje e madhe për partitë opozitare. Kjo matje e opinionit nga një organizatë kredibile do të krijoj panikë te partitë opozitare, por edhe përkrahësit e aktivistët e tyre”, deklaroi ai.
Sipas analistit, duket se në zgjedhjet e ardhshme, nuk do ketë garë serioze pasi fituesi vetëm po dihet.
Madje, ai paralajmëroi thellim të rezultatit, krahasuar me këtë të sondazhit.
“Nëse vazhdon kjo përkrahje popullore për Lëvizjen Vetëvendosje, atëherë padyshim që nuk do të ketë një garë serioze, pasi fituesi veq dihet. Kjo përkrahje do të demotivojë edhe aktivistët e partive opozitare, pasi çdoherë luftohet për vendin e parë, që padyshim rezultati i fituesit mund të thellohet akoma më shumë”, përfundoi Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.
Kapiti: LVV vetëm sa do rritet politikisht në zgjedhjet e radhës
Opinionisti Skënder Kapiti në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se rezultatet e sondazhit të UBO-së, ka mundësi të jenë të pasakta, pasi në matjet e tyre nuk përfshihet diaspora.
Sipas tij, shumica e diasporës përkrahin LVV-në dhe kjo mund ta thellonte rezultatin e partisë në pushtet.
Madje, ai kishte edhe disa kritika për partitë opozitare, ku tha se janë konsumar tash e një kohë me korrupsion, hajni e mashtrime.
“Ky sondazh mund të mos jetë i saktë pasi nuk është zbatuar te diaspora shqiptare, ku pjesa më e madhe e saj është me LVV-në. Shqiptarët e Kosovës do e votojnë akoma më thellë LVV, sepse LVV është politika më e mirë dhe më pranë aspiratave kombëtare të shqiptarëve të Kosovës, të cilët e kanë sfiduar për mbi 150 vite regjimin barbar, kolonialist e gjenocidist serb. Tashmë ka rënë përtokë LDK-ja e sotme, së bashku me partitë e tjera të pas luftës si PDK, AAK e NISMA të cilat i ka gërryer e konsumur tej mase korrupsioni, paaftësia, hajnia, mashtrimet dhe papërgjegjshmëria kombëtare. Ish-pushteti LDK, AAK, NISMA etj., sot për sot nuk janë dhe as nuk prodhojnë alternativë bindëse që elektorati në Kosovë t’ua besojë atyre qeverisjen”, nënvizoi opinionisti.
Më tej, ai tregoi se si opozita po shpreson që të arrijë sërish në pushtet.
Për këtë, opinionisti përmendi mundësinë e një puçi politik dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve, duke u paraqitur si pro-europianë e pro-amerikanë.
“Ata si opozitë “shpresat” i kanë se mos mund të bëhet ndonjë “puç” politik, dhe këtë ata se shpresojnë se mund t’i kenë në mbështetje edhe ndërkombëtarët. Shpresat se opozita mund të vijë në pushtet ata i kanë te ëndërrimet që vetëmashtrohen se janë pro-europianë e pro-amerikanë. Mirëpo, perëndimi dhe bota demokratike në fund të fundit edhe ajo vlerëson cilësinë e qeverisjes, efektin e luftës kundër korrupsionit dhe përmbushjen e standardeve demokratike të cilat LVV si parti politike në pushtet është më shembullorja jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Populli dhe votuesit në Kosovë, e dijnë mirë se çfarë të besojnë dhe të zgjedhin, prandaj LVV vetëm sa do rritet politikisht në zgjedhjet e tjera të radhës”, përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”.