Një analist financiar shqiptar me karrierë të suksesshme në Londër dhe motra e tij janë dënuar me burg për një skemë mashtrimi me informacione të brendshme, përmes së cilës kishin përfituar rreth 1 milion stërlina. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Redinel Korfuzi, 38 vjeç, u dënua me 6 vite burg, ndërsa motra e tij, Oerta Korfuzi, 36 vjeçe, u dënua me 5 vite burg.
Redinel Korfuzi, një ish-analist me një pagë vjetore prej 500,000 stërlinash, përdori aksesin e tij në informacione konfidenciale të 13 kompanive për të tregtuar aksione. Ai i kalonte informacionet motrës së tij dhe përdorte llogari të shumta, përfshirë të sajën, për të fshehur gjurmët. Pas një gjyqi tre-mujor në Londër, juria i shpalli ata fajtorë për komplot për tregti të brendshme dhe pastrim parash, pavarësisht se dyshja i mohoi akuzat.
Autoriteti i Sjelljes Financiare (FCA), që hetoi rastin, deklaroi se dyshja “manipuloi sistemin për të kënaqur lakminë e tyre”. Gjykatësi Alexander Milne, gjatë leximit të dënimit, e përforcoi këtë vlerësim: “Kjo ishte lakmi dhe arrogancë. Gjithçka për të cilën keni punuar, tani ka marrë fund. Asnjëherë më nuk do t’ju besohet të tregtoni,” u tha ai, duke shtuar se gabimi i tyre fatal ishte mendimi se ishin “shumë të zgjuar për t’u kapur” dhe se kishin injoruar gjurmët e qarta digjitale që po linin pas, raporton lajmishqip.