Faton Ramadani, vëllai i Burim dhe Arsim Ramadanit, të dënuar me 30 vjet burg në rastin “Kiqina”, ka reaguar ndaj deklaratave të Shpresim Ukës, duke e akuzuar këtë të fundit për shmangie nga përballja në emisionin “Debat Plus”.
Shpresim Uka, përmes një reagimi dërguar mediave, njoftoi se nuk do të marrë pjesë në debatin e planifikuar për këtë të premte, duke e arsyetuar mungesën me faktin se ai ende ka një proces të hapur gjyqësor. “Në përputhje me këshillat juridike të mbrojtjes sime, nuk planifikoj të kem paraqitje mediale deri në përfundimin e procesit tim gjyqësor”, tha ai në një njoftim për Dukagjinin.
Nga ana tjetër, Faton Ramadani, i cili ishte i pranishëm në studio, e kritikoi ashpër Ukën, duke e akuzuar se nuk ka guxuar të ballafaqohet me argumentet dhe faktet që, sipas tij, tregojnë të vërtetën për rastin Kiqina.
“Shpresim Uka po mundohet të arsyetohet para shokëve që i ka prerë në besë. Ai ka dhënë dëshmi dhe ka folur. Unë e falënderoj që ka treguar për personin që ka kryer vrasjen e familjes Hajra, ndërsa njerëz të pafajshëm po mbahen në burg. Sistemi i drejtësisë duhet të merret me të”, tha Ramadani.
Ai gjithashtu akuzoi Ukën për bashkëpunim me EULEX-in, duke pretenduar se vëllezërit e tij janë dënuar si rezultat i një procesi të manipuluar. “Mua mi ka dënuar vëllezërit EULEX-i, në bashkëpunim me shefat e tij. Ai vetë është dënuar me 7 vjet burg për rastin ‘Toka’ dhe nuk ka guxuar të vijë të përballet me mua, sepse faktet që kam do të ishin të rënda për të”, shtoi ai.
Ramadani po ashtu ka përmendur se gjatë viteve ka përjetuar presion, kërcënime, shantazhe dhe tentativa për ta heshtur të vërtetën. “Më kanë vendosur bombë, kanë tentuar të më vrasin, vetëm që e vërteta të mos dalë në shesh. Sepse e vërteta për vëllezërit Ramadani dhe Kiqina do të shembte një perandori të ndërtuar pas luftës”, deklaroi ai.
Rasti Kiqina – Një kronologji e shkurtër
Më 20 gusht 2001, familja Hajra – Hamëz Hajra, bashkëshortja e tij Miradija, djali Xhevdeti dhe vajzat Mimoza dhe Adelina – u vranë teksa po ktheheshin nga një dasmë në Drenas. Për këtë krim, Burim dhe Arsim Ramadani, si dhe Arben, Jeton dhe Blerim Kiqina, u dënuan me burgime që shkonin deri në 30 vjet. Rasti ka kaluar në të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese.
Në vitin 2017, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, vendosi t’ua falë dënimin Arsim dhe Burim Ramadanit, si dhe Arben Kiqinës, duke e rikthyer edhe një herë rastin në qendër të debatit publik.