Sherr mes dy punëtorëve në Prishtinë, njëri përfundon në spital e tjetri në pranga

1 minute, 10 seconds Read

Fjalosjet e zënkat momentale mes qytetarëve në shumë raste kalojnë në situata jashtë kontrollit, ku përdoren fjalë banale, ofendime të rënda e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. E madje shpeshherë ndodh që mes tyre të kërcas edhe grushti, duke përdorur dhunë e cila rezulton me pasoja për ta, raporton Gazeta Sinjali.

Në një rrahje janë përfshirë dje edhe dy punëtorë në rrugën Stambolli në Prishtinë, ku si pasojë ka mbetur i lënduar një person.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 45-vjeçari është dërguar atje me lëndime që i kishte marrë si pasojë e goditjeve dhe të njëjtit i është ofruar tretman mjekësor.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme, por ka qenë i pamundshëm intervistimi i viktimës, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Në anën tjetër i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku i është marrë dëshmia lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’./GazetaSinjali

Publikime te ngjashme