Shaip Kamberi shpërthen pas refuzimit të Petkoviqit në Bruksel: Serbia po pengon të drejtat e shqiptarëve në Luginë

1 minute, 36 seconds Read

Deputeti shqiptar Shaip Kamberi ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të përfaqësuesit të Serbisë, Petar Petkoviq, i cili në Bruksel refuzoi të diskutojë me palën e Kosovës për çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe subvencionet për bujqësinë. Këto fonde, të ndara nga Qeveria e Kosovës, janë bllokuar nga autoritetet në Beograd.

Në një reagim publik, Kamberi theksoi se Serbia mohon të drejtat e pakicave kombëtare, sidomos të shqiptarëve, duke penguar edhe ndihmat që synojnë zhvillimin ekonomik e social të rajonit. Ai përmendi se “sanksionet ligjore ndaj përdorimit të simboleve kombëtare, mungesa e përfaqësimit adekuat në drejtësi, polici e institucione publike, si dhe diskriminimi i vazhdueshëm, tregojnë qartë hendekun mes retorikës së jashtme dhe politikave të brendshme të Serbisë ndaj pakicave”.

Kamberi akuzoi Beogradin se, ndërkohë që kufizon të drejtat themelore të shqiptarëve në Luginë, insiston në standarde që nuk njihen as nga e drejta ndërkombëtare kur bëhet fjalë për statusin dhe të drejtat e serbëve në Kosovë. “Në këtë situatë, është legjitime që Qeveria e Kosovës të kërkojë reciprocitet si model për trajtimin e pakicave në rajon”, u shpreh ai.

Ndërkohë, raundi i ri i bisedimeve Kosovë-Serbi u mbajt sot në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, konfirmoi pas takimit se temë diskutimi ishte edhe bllokimi i fondeve për fermerët shqiptarë të Luginës. “Pala serbe mendon se ne nuk duhet të kujdesemi për bujqit në Luginë dhe as të sigurojmë që ata të përfitojnë nga këto mjete”, deklaroi Bislimi.

Aktualisht, rreth një milion euro të destinuara nga Qeveria e Kosovës për fermerët e Luginës së Preshevës mbeten të bllokuara nga autoritetet serbe./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme