Serbia pretendon se arrestoi “spiunin” e SHISH-it Shqiptar! Mediat në Beograd: “Mblidhte informacione për llogari të Tiranës e Prishtinës” (Video)

1 minute, 18 seconds Read

Anëtarët e Agjencisë për Siguri dhe Informacion në Serbi, BIA, kanë zbuluar dhe shkatërruar një rrjet spiunazhi.

Media serbe, Tanjug, raporton se gjatë operacionit është vënë në pranga një shtetas serb, pas dyshimeve se që nga viti 2022 po bashkëpunon me shërbimin Informativ Shtetëror të Shqipërisë, Shish, duke vepruar në bazë të urdhrave të tyre.

Konkretisht, sic thonë mediat vendase, ai vendosi kontakte edhe me strukturën e sigurisë në Prishtinë, me “Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës”. I dyshuari ishte i angazhuar në mbledhjen e të dhënave relevante politike, të sigurisë dhe ekonomike në Serbi, të cilat ishin objekt i interesimit të shërbimit inteligjent të Shqipërisë.

Sipas informacioneve, ai dyshohet se ka mbledhur informacione për pjesëtarë të caktuar të BIA-Së dhe serbeve nga Kosova, dhe me urdhër të tyre është angazhuar në situata krize në veri të Kosovës, sic ishin protestat dhe ngritja e barrikadave.

Në disa raste ai ka filmuar lëvizjet e forcave të sigurisë serbe në komunën e Rashkës, në radhë të parë të njësive të Ushtrisë Serbe.

Synimi kryersor sipas mediave ishte mbledhja e sa më shumë materialeve për “shënjestrat” dhe t’ia dorëzonte shërbimit inteligjent të Shqipërisë.

Ai u takua me përfaqësues të shërbimit inteligjent të Shqipërisë kryesisht në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri dhe disa herë në territorin e Kosoves në Pejë dhe Zhur./abcnews.al

Publikime te ngjashme