Opinionisti Dardan Sejdiu ka deklaruar se subjektet politike opozitare po bëjnë një gabim fundamental në mënyrën se si e lexojnë Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti, pasi sipas tij, synimi i tyre përfundimtar nuk është veprimi brenda kornizës aktuale kushtetuese, por transformimi i plotë i saj.
I ftuar në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Sejdiu theksoi se opozita vazhdon ta analizojë realitetin dhe situatën politike duke u nisur nga supozimi i gabuar se të gjitha partitë respektojnë të njëjtin konstrukt institucional dhe kushtetues.
“Dy vitet e fundit tregojnë qartë se për ta nuk ka ndonjë peshë të madhe organizimi kushtetues, shoqëror apo rendi politik i Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje funksionon mbi bazën e një koncepti të vetin, i cili synon një tjetër model të organizimit shoqëror, një tjetër formë të rendit kushtetues dhe një format të ri të diskutimit politik,” u shpreh Sejdiu.
Sipas analizës së tij, partitë opozitare duhet ta kuptojnë përfundimisht se përballë nuk kanë thjesht një kundërshtar politik që e sheh rendin ekzistues kushtetues si një kornizë të paprekshme.
Më tej, Sejdiu shkoi edhe më tej me deklaratën e tij, duke nënvizuar se deputetët dhe ministrat e kësaj partie shërbejnë vetëm si instrumente për jetësimin e një projekti shumë më të gjerë politik./lajmishqip.net
