Sa hapa në ditë mjaftojnë për të qenë të shëndetshëm dhe në formë?

2 minutes, 38 seconds Read

Prej kohësh flitet për një numër magjik prej dhjetë mijë hapash në ditë që njerëzit të jenë të shëndetshëm dhe ‘në formë’, por një studim i ri ka treguar se edhe më pak se pesë mijë hapa mund të jenë të mjaftueshëm për përfitime shëndetësore.

Një analizë që përfshiu më shumë se 226.000 njerëz në mbarë botën, tregoi se 4.000 hapa në ditë janë të mjaftueshme për të filluar reduktimin e rrezikut të vdekjes së parakohshme nga çdo shkak. Sa më shumë hapa të ndërmarrë, aq më të dukshme dhe më të mëdha janë përfitimet shëndetësore, thonë studiuesit. Çdo 1.000 hapa shtesë mbi 4.000 zvogëlon rrezikun e vdekjes së hershme me 15 për qind, deri në 20.000 hapa.

Ekipet nga Shkolla e Mjekësisë e Universitetit të Lodzit në Poloni dhe Shkolla e Mjekësisë e Universitetit Johns Hopkins në SHBA zbuluan se përfitimet e ecjes vlejnë për të gjitha gjinitë dhe të gjitha moshat, pavarësisht se ku jetojnë njerëzit. Megjithatë, përfitimet më të mëdha u vunë re tek ata nën moshën 60 vjeç.

Profesor Maciej Banach nga Universiteti i Lodz tha se, megjithëse numri i barnave të avancuara për trajtim po rritet, ato nuk janë e vetmja përgjigje.

“Unë besoj se duhet të theksojmë gjithmonë se ndryshimet në stilin e jetës, duke përfshirë dietën dhe stërvitjen mund të jenë të paktën po aq efektive ose edhe më efektive në uljen e rrezikut kardiovaskular dhe zgjatjen e jetës”, tha ai.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, aktiviteti fizik i pamjaftueshëm është përgjegjës për 3,2 milionë vdekje çdo vit, ose shkaku i katërt kryesor i vdekjeve në mbarë botën.

Honey Fine, një trajnere personale dhe instruktore për kompaninë globale të fitnesit Barry’s, thekson problemet që lindin nga qëndrimi i tepërt ulët.

Kjo mund të ngadalësojë metabolizmin tuaj dhe të ndikojë në rritjen dhe forcën e muskujve, gjë që mund të shkaktojë dhimbje, thotë ajo për BBC.

Ajo shpjegon gjithashtu rëndësinë e aktiviteteve jostërvitore, “të cilat, në terma të thjeshtë, është çdo gjë që ne bëjmë që përdor energji dhe djeg kalori”.

“Detyrat si qëndrimi në këmbë, mbajtja e gjërave nga pazarimi, larja e dyshemeve, ecja ndërsa flasim në telefon, të gjitha këto janë gjëra të vogla që na bëjnë më aktivë dhe na ndihmojnë të djegim kalori në mënyrë më efikase”, tha ajo.

Fine thotë se shtimi i shëtitjeve të rregullta është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

“Ecja mund të ulë presionin e gjakut, të forcojë muskujt për të mbrojtur kockat, të rrisë nivelet e energjisë dhe të prodhojë endorfinë, dhe mund të ndihmojë në ruajtjen e një peshe të shëndetshme me një dietë të shëndetshme”, thotë ajo, duke shtuar se aktiviteti, i cili është i përshtatshëm për pothuajse të gjithë, ka përfitime edhe për shëndetin mendor.

Publikime te ngjashme