Një arsenal i madh armatimi, përfshirë raketahedhës, granata dore dhe sasi të konsiderueshme municionesh, është zbuluar sot gjatë një operacioni të gjerë policor në fshatin Vallaq të komunës së Zveçanit.
Operacioni u krye nga njësitet e Policisë së Kosovës në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Prokurorinë, ndërsa u monitorua nga afër nga misionet e KFOR-it dhe EULEX-it.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, konfirmoi se armatimi i rëndë u gjet në një pronë që i përket politikanit serb nga veriu i Kosovës, Aleksandar Arsenijeviq. Sipas autoriteteve, sasia e armëve të gjetura ishte e mjaftueshme për të pajisur një njësi të tërë terroriste.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sveçla deklaroi se ky operacion ka goditur një strukturë që paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare.
“Sot kemi goditur një strukturë që paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe stabilitetin e vendit tonë. Krimi nuk mund të fshihet kurrë, pavarësisht petkut që vesh – veçanërisht përballë institucioneve vigjilente dhe profesionale që punojnë pa ndalur në ofrimin e sigurisë dhe sundimit të ligjit në çdo cep të Republikës së Kosovës”, shkroi ministri Sveçla.
Ai theksoi se institucionet e sigurisë do të vazhdojnë pa kompromis luftën për çrrënjosjen e mbetjeve kriminale dhe terroriste, të cilat, sipas tij, mbështeten nga strukturat e Serbisë, raporton lajmishqip.