Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar vendosjen e një tarife prej 30% mbi të gjitha importet nga Bashkimi Evropian dhe Meksika, e cila pritet të hyjë në fuqi më 1 gusht.
Përgjigjja nga Brukseli ka qenë e menjëhershme. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Bashkimi Evropian është i përgatitur të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e tij ekonomike.
Në një deklaratë zyrtare, Von der Leyen theksoi se BE-ja mbetet e hapur për negociata me qëllim arritjen e një zgjidhjeje para datës 1 gusht, por paralajmëroi se nëse Uashingtoni vazhdon me zbatimin e tarifave, blloku do të kundërpërgjigjet me masa proporcionale dhe të fuqishme.
Njoftimi për tarifat e reja u bë publik nga Trump përmes postimeve në platformën e tij sociale, Truth Social. Kjo lëvizje vjen pas një serie tarifash të tjera të shpallura më herët gjatë javës, të cilat prekën vende si Japonia, Koreja e Jugut, Kanadaja dhe Brazili, si dhe një tarifë specifike prej 50% mbi importet e bakrit, raporton lajmishqip.