Rrahja brutale në ashensor: Këta janë tre të dyshuarit, njëri po ruhet në QKUK nga Policia

1 minute, 35 seconds Read

Sot u raportua për një përleshje mes tre personave që ka ndodhur të shtunën në ashensorin e një ndërtese në Fushë Kosovë, ku pas një mosmarrëveshje të dyshuarit u rrahën dhe për pasojë njëri pësoi lëndime të rënda. Ky i fundit po ruhet nga Policia në spital, ndërsa i dyshuari tjetër ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se tre të dyshuarit janë Durajet Mehmeti, i cili është dërguar në mbajtje, Arben Boletini, i cili ndodhet në QKUK, kurse i dyshuarit tjetër, Dardan Mehmeti është lënë i lirë.

Të njëjtit po dyshohen se janë kapur mes vete pas një konflikti verbal, që eskaloi në sulm, ku i dyshuari Boletini mori plagë të rënda në kokë dhe në fytyrë.

Posa rasti është denoncuar, të njëjtat burime thonë se Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë marrë informacionet e para, ndërsa dy të dyshuarit që u lënduan janë dërguar në spital për trajtim mjekësor.

I dyshuari Boletini, po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po sigurohet nga Policia, derisa gjendja e tij të stabilizohet dhe i njëjti të përballet me dyshimet e ngritura edhe ndaj tij.

Ndërsa i dyshuari tjetër, Durajeti, pas arrestimit është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe ka urdhëruar nisjen e hetimeve.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali

Publikime te ngjashme