Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, formimi i qeverisë së re pritet të shoqërohet me kërkesa të qarta nga Uashingtoni. Shtetet e Bashkuara të Amerikës po presin hapa konkretë për të rinisur dhe forcuar bashkëpunimin dypalësh.
Në një përgjigje për Tëvë1, Departamenti i Shtetit (DASH) ka shprehur vullnetin për avancimin e partneritetit, duke përfshirë rikthimin e dialogut strategjik, i cili u pezullua gjatë vitit 2025. “Shpresojmë të forcojmë partneritetin tonë me qeverinë e ardhshme, përfshirë rifillimin e dialogut strategjik. Megjithatë, kjo kërkon veprime që çojnë përpara agjendën tonë të përbashkët për paqe rajonale, stabilitet dhe prosperitet ekonomik”, thuhet në deklaratën e DASH-it.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, konfirmoi se ekzekutivi do të vijojë bashkëpunimin e ngushtë me aleatët. “Kemi komunikim të rregullt me Departamentin e Shtetit dhe Ambasadën Amerikane për të adresuar çdo temë me interes të përbashkët. Si qeveri e rilegjitimuar, do të punojmë që ta forcojmë partneritetin tonë strategjik, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit”, deklaroi Kryeziu.
Politologu Dorajet Imeri e konsideron të domosdoshme rritjen e intensitetit të marrëdhënieve me SHBA-të, duke sugjeruar tri fusha kyçe: mbrojtjen, diplomacinë ekonomike dhe lobimin. Sipas tij, qeveria e re duhet të jetë më e zëshme në Uashington për të kërkuar drejtësi për sulmin në Banjskë. Imeri theksoi se SHBA-të janë në dijeni se Serbia ishte përgjegjëse për tensionet në veri dhe se Kosova duhet të insistojë që krerët e grupeve ekstremiste të sillen para drejtësisë. /lajmishqip.net
