Reuters | Humbja e politikës së Vuçiqit: Serbët nga Kosova nuk mund t’i përdorin më target e vjetra në vetura

1 minute, 38 seconds Read

Serbët në Kosovë nuk mund të përdorin më targat e vjetra në veturat e tyre, të cilat i kishin marrë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, raporton Reuters dhe kujton se kjo çështje ka nxitur dhunën më të rëndë etnike në dy vitet e fundit, transmeton Ballkani.info.

Me mbështetjen e Beogradit zyrtar, rreth 50,000 serbë të Kosovës nuk e njohin pavarësinë e saj dhe kanë vazhduar të përdorin targa më të vjetra se viti 1999, kur Kosova ishte pjesë e Serbisë, shkruan tutje agjencia britanike e lajmeve.

Për gati tre vjet, mosmarrëveshja mbi targat e regjistrimit ka nxitur tensione midis Serbisë dhe Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, dhe pjesa veriore e së cilës është shtëpia e një pakice serbe të mbështetur nga Beogradi.

Qeveria në Prishtinë njoftoi se afati ka skaduar të premten në mesnatë dhe se të gjithë vozitësit me targa të vjetra do të gjobiten dhe automjetet e tyre do të konfiskohen.

Qeveria e Kosovës ka zgjatur disa herë afatin për t’u dhënë shoferëve kohë të mjaftueshme për të riregjistruar veturat e tyre.

Nga 10.000 vetura në katër komuna në veri të Kosovës, në pronësi të serbëve, rreth 4.200 janë me targa të reja të Kosovës. Shumë të tjerë i kanë regjistruar automjetet e tyre në Serbi dhe mund t’i vozisin në Kosovë.

“Nuk shohim sot në komunikacion automjete me targa të vjetra”, tha Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës në veri të vendit.

“Policëve të komunikacionit u kemi thënë që në dy ditët në vijim vetëm t’i paralajmërojnë vozitësit të cilët ende i përdorin targat e vjetra, por nga e hëna do të shqiptohen gjoba dhe është e mundur edhe sekuestrimi i veturës”, tha Elshani. /Ballkani.info/

VIDEO BONUS: Prishtina

Publikime te ngjashme