Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama foli në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialsite në lidhje me investimet që dhëndri i ish-presidentit Trump, Jared Kushner do të bëjë në ishullin e Sazanit.
Rama tha se në Shqipëri ka me qindra investitorë strategjik. Ai tha se projekte me 5 yje do të zhvillohen në sektorin e turizmit, të cilat do i shtojnë vlerat Shqipërisë dhe do rrisin imazhin e saj.
“Nëse trendi vazhdon 10 milionë turistët e vjetshëm do të bëhen afro 14 milionë këtë vit. Dikur për ti bërë 1 milion qeveria e mëparshme na numëronte të gjithëve si turistë sa herë hynim në Shqipëri pasi kishim dalë jashtë. Këto ditë Jared Kushner, një sipërmarrës i madhe amerikan dhe dhëndër i ish-presidentit Trump shpalli publikisht ambicien për të investuar në dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri”.
Më tutje ai tha se “ata që na tregonin Malin e Zi dhe Maqedoninë si shembuj të paarritshëm për zhvillimet në turizëm dhe për investimet e huaja direkte, sot flasin për rreziqet që i kanosen Sazanit nga kthimi në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe. Delirojnë për rrezikun e shkatërrimin e një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur nuk ka qenë kurrë, përveçse nga ushtarët e Enver Hoxhës”.