Rama lë në “ankth” ministrat, emrat e rinj që priten në tryezën e Asamblesë në shtator

1 minute, 30 seconds Read

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste do të mblidhet më 4 shtator.

Në një intervistë të fundit kryeministri Edi Rama i pyetur për ndryshimet në qeveri, u shpreh se do të duhet të pritet deri në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare. Tashtë “tik taku” ka filluar.

Në mbledhjen e fundit të asamblesë me dyer të mbyllura që u mbajt më 26 korrik u bënë ndryshime të mëdha në PS.

Në krye të këtyre ndryshimeve ishte largimi i Sekretarit të Përgjithshëm Damian Gjiknuri, detyrë që e mbante prej dy vitesh. Vendin e Sekretarit të Përgjithshëm Rama ia besoi Blendi Klosit, deri në shtator, në mbledhjen e radhës. Rama, përveç numrit dy të PS, u kërkoi që të dorëhiqen edhe 7 sekretarët e tjerë të PS. Asnjë prej tyre nuk u zëvendësua, dhe pritet që emrat e rinjt të bëhen publikë në mbledhjen e 4 shtatorit.

Rrokadë u bë edhe mes Bledi Çuçit dhe Taulant Ballës, të cilët ndryshuan postet kokë më kokë. Balla kaloi në Ministrinë e Brendshme, kurse Bledi Çuçi mori sërish besimin e kryeministrit, i cili e vendosi në krye të grupit parlamentar.

Para se asambleja të mblidhej dhe të njoftoheshin të gjitha këto vendime vëmendjen e mori lajmi se Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj është shkarkuar. Ky lajm u mohua nga vetë ministrja dhe kryeministri Edi Rama. “Jo” tha Rama.

“Jemi në kohën e thashethemeve të verës. Nuk kam dhënë dorëheqjen, nuk jam shkarkuar”, tha ministrja.

Por ethet nuk kanë mbaruar. Në mbledhjen e 4 shtatorit pritet të bëhen me dije emri i Sekretarit të Përgjithshëm të PS dhe 7 sekretarë të tjerë të shkarkuar. Nuk përjashtohet mundësia për ndryshime të tjera në qeveri.

Publikime te ngjashme