Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njihet për humorin dhe sjelljet e tij në raport me liderët e tjerë rajonal e ndërkombëtar. Pothuajse në çdo ngjarje që organizohet në nivel ndërkombëtar, Rama kujdeset që ta marrë vëmendjen me ndonjë gjest apo shaka. “Pre” e këtyre veprimeve të Edi Ramës ka qenë edhe kryeministri Albin Kurti, të cilit në kongresin e Partive Socialiste në Berlin në vitin 2022 ia kishte mbyllur sytë. Sensit të Ramës për humor s’i ka shpëtuar as Xhavit Haliti, zyrtar i lartë i PDK e një prej figurave të luftës së UÇK-së.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar të premten në profilin e tij në ‘facebook’ një video nga një promovim i një biznesi kosovar që tashmë ka hapur pikën e vetë edhe në Tiranë. Derisa Rama flet me pronarin e këtij biznesi dhe bën ftesë edhe për kosovarët që të investojnë në Shqipëri me shije e pasion, pas shpine i afrohet deputeti dhe zyrtari i lartë i PDK-së.
Rama pasi e sheh, përshëndetet me Halitin dhe me shaka thotë për Halitin se “është një kriminel luftë që s’është kapur akoma”.
Një shaka të tillë të Ramës e kalon me humor edhe vetë Haliti i cili edhe e përqafon kryeministrin shqiptar.
Kryeministri shqiptar prej kohësh ka mbrojtur ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë dhe ka thënë se Gjykata Speciale është një dështim monumental i politikës ndërkombëtare.Në përpjekjet e tij për të mbrojtur luftën e UÇK-në, Rama ka paraqitur në Këshillin e Evropës edhe një Rezolutës përmes të cilës synon zhvleftësimin e raportit të senatorit zviceran, Dick Marty, raport mbi bazën e të cilit edhe është themeluar Gjykata Speciale.