“Qëndruat krah nesh” – Zelensky falënderon liderët europianë

1 minute, 9 seconds Read

Presidenti Volodymyr Zelensky ka falënderuar liderët europianë në samitin e mbajtur në Bruksel për të diskutuar për mbështetjen për Ukrainën, ka raportuar të enjten më 06.03.2025 televizioni BBC.

Ai u ka thënë liderëve të Europës: “Gjatë krejt kësaj periudhe, dhe javën e kaluar, ju qëndruat krah nesh, këto nuk janë thjesht fjalë, ne e ndjejmë këtë”.

Zelensky ka arritur disa orë pasi një raketë ruse qëlloi një hotel në qytetin e tij të lindjes Kryvyi Rih, ku po qëndronin punëtorët e një organizate perëndimore të ndihmës.

Një i mbijetuar – i cili ndodhej në hotel kur u qëllua nga raketa – i ka thënë BBC-së se mendon që shënjestra ishte zgjedhur qëllimshëm nga ushtria ruse për t’i qëlluar punëtorët e huaj të ndihmës.

Njëherësh, zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar kanë thënë se 20 vende janë të interesuara që t’i bashkohen “koalicionit të vullnetarëve” që ta ndihmojnë Ukrainën.

Më herët, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka përsëritur kundërshtimin e tij për vendosjen eventuale të trupave europiane në Ukrainë në rast të arritjes së një ujdie të paqes. Ai ka thënë madje se kjo do të ishte “luftë e drejtpërdrejtë”.

Publikime te ngjashme