Ishin këta tinguj që asokohe, i bënë ata të besonin gabimisht, se personat që ishin në bord, mund të ishin ende gjallë.
Qershorin e vitit të kaluar, pesë persona (Hamish Harding, Paul-Henri Nargeolet, Shahzada Dawood, Suleman Dawood dhe CEO i OceanGate Stockton Rush) vdiqën në bordin e nëndetëses në pronësi të kompanisë “OceanGate”, teksa u zhytën për të eksploruar rrënojat e Titanikut.
Nëndetësja humbi kontaktet me bazën më 18 qershor dhe gjatë përpjekjeve për të gjetur “Titan-in” dhe për të rivendosur kontaktin me të, Forcat Ajrore Kanadeze arritën të kapnin çdo 30 minuta disa “zhurma ritmike përplasjeje”, të cilat dhanë shpresë, se ata që ishin në bordin e saj mund të ishin ende gjallë dhe po përpiqeshin të sinjalizonin për ndihmë.
Megjithatë, ekspertët theksuan asokohe se nuk e dinin origjinën e tyre dhe kohë më vonë u arrit në përfundimin se nëndetësja kishte shpërthyer ditën që ishte zhdukur.
Sipas Wall Street Journal, Marina e SHBA-së perceptoi një zhurmë që mendonte se ishte shpërthimi i nëndetëses Titan, menjëherë pasi kontakti u humb.
Edhe audioja e asaj zhurme është dëgjuar në dokumentarin e ri “The Titan Sub Disaster: Minute by Minute”, i cili do të transmetohet më 6 dhe 7 mars në Channel 5 në orën 21:00.
Dokumentari synon të ndjekë detajet e zhytjes së Titanit deri në rrënojat e Titanikut dhe çfarë mësimesh janë nxjerrë nga humbja tragjike e pesë jetëve.
Ekspertët që kanë zbritur në thellësitë e oqeanit kanë zbuluar copa të tjera të nëndetëses së bashku me disa mbetje njerëzore. Megjithatë, ekspertët paralajmëruan që të mos shpresohej se trupat e viktimave do të rikuperoheshin plotësisht për shkak të ‘mjedisit të egër’ të oqeanit.
Që atëherë janë gjetur sasi të konsiderueshme mbetjesh, të cilat i janë dorëzuar autoriteteve që po hetojnë katastrofën.
Që pas kësaj fatkeqësie, kompania OceanGate ka “pezulluar të gjitha operacionet e eksplorimit dhe tregtare”.