Protesta për “dinarin” shihet me rrezik për eskalim të situatës

4 minutes, 44 seconds Read

Protesta është politizuar menjëherë. Lista Serbe ka ftuar qytetarët serbë për përkrahje sa më të madhe. Subjekti tjetër politik që vepron në veri “Demokracia e Hapur”, ka dhënë përkrahje për protestën, por ka ftuar Listën Serbe të mos përfitojë nga kjo. E kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhad Ugljanin, ka thënë se qëllim i Listës Serbe dhe Serbisë është të ngrihen sërish tensionet në veri të vendit

Thirrja e Shoqatës së Pensionistëve serbë për protestë “gjithëpopullore” të hënën në Mitrovicë të Veriut, me mbështetje të Listës Serbe, është parë si mundësi për eskalim të mëtutjeshëm të situatës nga zyrtarë komunalë të këtij qyteti.

Për të hënën në orën 12:00 është thirrur protestë për të kundërshtuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që përcakton se euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për operacione me para të gatshme.

Politikani Nexhad Uglanin, kryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, vlerëson se Lista Serbe dhe Serbia janë përgjegjëse për thirrje të protestës dhe se synimi i tyre është që përsëri të ngrihen tensionet në veri të vendit.

“E dimë që çdo punëtor i cili punon në strukturat paralele në pjesën veriore është i obliguar të dalë nesër në protestë. Sigurisht që kjo po shkon kah intensifikimi i situatës për ngritjen e tensioneve siç po shihet janë bërë edhe grafitet nga Brigada e Veriut që janë bërë në pjesën veriore, por edhe nesër ky tubim që do të organizohet sigurisht është sinjal për tensionimin e situatës në pjesën veriore me ndikim nga Republika e Serbisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, qëllimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është fitimi i poenëve në tavolinë për ta shtyrë përpara themelimin e Asociacionit dhe zhvendosja e vëmendjes nga përgjegjësia për Banjskën si dhe nga raporti i Parlamentit Evropian që i kërkon Komisionit Evropian ndaljen e fondeve IPA për Serbinë.

“Ata do të përpiqen që përmes këtyre protestave, përmes Kosovës ta habisin vetë popullatën edhe vetë opinionin në Serbi, unë ashtu e shoh, por ta shohim sepse ndonjë desabilizim madhor nuk mund të ndodhë, garancion është edhe KFOR-i i është në terren në pjesën veriore dhe sigurisht nga dita në ditë po rritet numri i forcave të KFOR-it”, ka deklaruar Ugljanin.

Një ditë më herët Banka Qendrore e Kosovës publikoi edhe një video informuese, ku thuhet se dinari nuk është i ndaluar me Rregulloren e re.

“Kjo Rregullore nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara dhe as nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK. Andaj, të gjithë individët, kanë qasje në llogari bankare dhe mund të pranojnë mjete në llogaritë e tyre në Euro, përmes kanaleve të ndryshme ligjore”, thuhet nga BQK-ja.

Thirrja për protestë edhe është politizuar. Lista Serbe, si partia më e madhe e serbëve të Kosovës ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe.

“Është shumë me rëndësi që me prezencë të madhe t’i tregojmë Prishtinës se i kundërshtojmë këto vendime antiserbe dhe se duam të mbetemi në paqe dhe të vazhdojmë të jetojmë në vatrat tona shekullore”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Përkrahje protestës i ka dhënë edhe subjekti politik i udhëhequr nga Aleksandar Arsenijeviq, por i ka bërë thirrje Listës Serbe të mos e përdorë atë politikisht.

“Pikërisht për arsyet e përmendura apelojmë tek aktorët e tjerë politikë (Lista Serbe) që ta ndalim çfarëdo përpjekjeje që ta përdorin politikisht protestën. Duhet të jetë popullore, jopartiake, protestë drejtuar botës, për t’i ndalur marrëzinë dhe dhunën ndaj njerëzve tanë”, ka thënë Arsenijeviq.

E deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, është shprehur se Kosova mund të rrezikohet përsëri me sanksione në rast të mos-koordinimit me aleatët. Sipas saj, duhet dëgjuar thirrjet e shteteve perëndimore që të mos zbatohet rregullorja që ndalon dinarin edhe valutat e tjera të huaja.

“Duke dëgjuar dhe duke pasur takime me aleatët tanë po thuhet se Kosova mundet me pas sanksione të reja, sesa që i ka. Sa është Kosova është në gjendje t’i përballojë këto sanksione? Vërtet këto janë të ndikueshme, pasi derisa jemi nën sanksione, Kosova ka humbur miliona euro dhe përkrahje nga fondet e BE-së. Tash nëse rëndohet me sanksione të reja, nuk e di se kah po shkon”, ka deklaruar Kadrijaj.

Lidhur me rregulloren e re të BQK-së për operacionet me paratë e gatshme është folur edhe në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se rregullorja nuk ia ndalon askujt të mbajë dinarë, porse vetëm euroja është mjet i ligjshëm i pagesës në Kosovë. Është shprehur se Qeveria është përkushtuar për të siguruar një tranzicion të lehtë në mënyrë që të ketë edukim dhe informim dhe se tash për tash nuk do të ketë gjoba për mosrespektim të rregullores./Koha.net

 

Publikime te ngjashme