Profesori britanik: Perëndimi të tërhiqet nga “budallallëku” për Asociacionin, do të përdoret për të përmbysur Kosovën

2 minutes, 27 seconds Read

Një ndër komentatorët kryesor të çështjeve ballkanike, studiuesi dhe historiani britanik, Marko Attila Hoare, në një intervistë për Albanian Post, përveç shprehjes së skepticizmit rreth zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, tha se e njëjta do t’i sigurojë Serbisë një bazë për të kërkuar diçka më shumë në Kosovë, ngase sipas tij, udhëheqja në Serbi po mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë kontekst, si mjaft të rrezikshëm e sheh edhe presionin e diplomatëve perëndimorë ndaj Kosovës rreth themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, gjë që siç konsideroi ai, do t’i shërbejë qëllimit të Serbisë për të tjetërsuar sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, diçka që shteti serb tashmë ka arritur ta realizojë përmes Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Marrëdhëniet nuk do të normalizohen për sa kohë që Serbia mbetet e përkushtuar në minimin dhe zhdukjen e pavarësisë së Kosovës, gjë që do mund të jetë e parashikueshme në të ardhmen. Në këto rrethana, përpjekja drejt normalizimit mbi bazën e lëshimeve të ndërsjella është budallallëk”, tha Hoare, i cili është profesor i Shkencës Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Sarajevës.

Prandaj, në vend të presionit ndaj Kosovës për të themeluar këtë mekanizëm – prioriteti më i madh aktualisht në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve – Hoare theksoi se Perëndimi duhet të punojë në forcimin e sovranitetit të Kosovës, të heqë dorë nga “budallallëku” siç është realizimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ta detyrojë Serbinë të braktisë irredentizmin.

“Çështja nuk është se çfarë duket si një kompromis i drejtë në letër, por se si Serbia do ta përdorë një entitet të tillë në praktikë. Në praktikë, Serbia mbetet e përkushtuar ndaj politikës nacionaliste të rimarrjes së Kosovës dhe çdo autonomi institucionale për serbët në Kosovë do të ndërtohet në atë mënyrë derisa të bëhet një shtet serb-irredentist brenda një shteti, i cili do të përdoret për të përmbysur tërë Kosovën ose, ndoshta, copëtimin e saj”, tha Hoare.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, vlerësohet të jetë një mekanizëm i dytë i madh për serbët e Kosovës – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e komunitetit serb, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm kushtetues. Perëndimi po insiston se ky mekanizëm është prioriteti më i madh në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Nga Albanianpost.com

Publikime te ngjashme