Procesi i anëtarësimi në KiE, Neukrich: Është vërejtur një avancim sa i përket kornizës ligjore të Kosovës

3 minutes, 9 seconds Read

Kosova ka avancuar në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit, u tha në takimin e përbashkët të grupit punues në mes të përfaqësuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve nga Këshilli i Evropës.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, tha se Kosova është përmirësuar për njëzet vende në dy vitet e fundit në indeksin e Transparency International, raporton KP.

“Progresi i vazhdueshëm i Kosovës është shënuar edhe nga organizata të ndryshme ndërkombëtare të pavarura , World Justice Project, e ka renditur Kosovën të parën në Evropë dhe të dytën globalisht për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit.

Në indeksin Transparency International, Kosova ka përmirësuar pozitën e saj për 20 vende në dy vitet e fundit, në fushën e luftimit të korrupsionit. Përfundimi i fazës fillestare të anëtarësimit është një moment i rëndësishëm në rrugën tonë drejt integrimit të plotë në bashkësinë ndërkombëtare dhe e sjell Kosovën më afër se kurrë në Këshillin e Evropës dhe qytetarët e Kosovës më afër se kurrë në përfitimet nga Këshilli i Evropës dhe mekanizmat e saj”, tha Ahmeti.

Ai shtoi se kalimi i fazës së parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës është një moment i rëndësishëm për Kosovën.

“Kjo arritje pasqyron përpjekjet tona të vazhdueshme për të përmirësuar pozitën e Kosovës në të gjitha shtyllat vitale të demokracisë veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe lirisë së mediave. Në këtë drejtim, paralelisht me procesin bazë të të anëtarësimit, ne jemi duke prioritizuar konventa të ndryshme, relevante për Republikën e Kosovës dhe të rëndësishme për qytetarët tanë, pra, Konventa të Këshillit të Evropës në të cilat do të bëhemi pjesë në të ardhmen”, tha ai.

Ndërsa, drejtori për Koordinim të Programeve të Këshillit të Evropës, Claus Neukrich, tha se në bazë të raporteve të monitorimit është parë një avancim sa i përket kornizës ligjore të Kosovës, sidomos me përfshirjen e Konventës së Stambollit në Kushtetutën e Kosovës.

Ai shtoi se pret një shkëmbim të frytshëm dhe të mirë për aktivitetet e përbashkëta mes KiE-së dhe Kosovës.

“Ne kemi kryer disa procese të monitorimit në të kaluarën dhe projekte të bashkëpunimit, duke përfshirë luftimin e korrupsionit dhe pastrimin e parave.

Në sistemin e drejtësisë më e rëndësishmja është të përmendim rezultatet e raporteve të grupit të ekspertëve kundër trafikimit me qenie njerëzore, duke u bazuar edhe në Konventë ne KiE-së, por edhe Konventës së Stambollit për dhunën në familje dhe ndaj grave, këto janë të theksuara në raportin për Kosovën. Bazuar në këto vlerësime të monitorimit ne i kemi përshtatur aktivitetet për Kosovën”, tha ai.

Kosova ka kaluar fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin Evropian në muajin prill të këtij viti. Procesi tani ka kaluar në Asamblenë Parlamentare, ku pritet të caktohen disa raportues për hartimin e raportit për përshtatshmërinë e Kushtetutshmërisë së Kosovës me Konventat e Këshillit të Evropës, pastaj i njëjti do të dërgohet në Asamblenë Parlamentare për shqyrtim.

Publikime te ngjashme