Policia e Kosovës reagon për sherrin e armatosur në Bon Vivant në Prishtinë: 14 nga të plagosurit ishin vajza

1 minute, 3 seconds Read

Policia e Kosovës ka reaguar zyrtarisht për ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Prishtinë, ku një person mbeti i vdekur dhe 16 të tjerë u plagosën, pas një sherri me armë dhe me sende të forta mes disa personave në një klub nate.

Zëdhënësi i policisë, Agron Borovci tha se rreth orës 23:30 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në një lokal në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë. Mësohet se, nga 17 të lënduarit që u paraqitën në momentet e para pas ngjarjes për marrjen e ndihmës mjekësore, 14 prej tyre ishin femra.

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para dyshohet se disa persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit apo edhe nga fragmente qelqi”, tha Borovci.

Ai shtoi se të lënduarit janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor, kurse policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore .

“Aktualisht së paku dy të dyshuar janë identifikuar si të implikuar në rast, përderisa po punohet edhe për identifikimin e të dyshuarve të tjerë të mundshëm”, tha Borovci.

Publikime te ngjashme