Mbeturinat nga zhytësja Titan që supozohet se shpërtheu në fund të Atlantikut ndërsa turistët brenda saj përpiqeshin të arrinin në rrënojat e Titanikut janë nxjerrë në breg.
Sipas mediave të huaja, copat e mëdha të metalit u shkarkuan nga anija Horizon Arctic në skelën e Rojës Bregdetare Kanadeze në St John’s, Newfoundland, Kanada, këtë mëngjes.
Ky hap vjen saktësisht dhjetë ditë pasi Titan u zhduk gjatë një udhëtimi turistik të drejtuar nga OceanGate Expeditions.
Të enjten e kaluar u zbulua se nëndetësja kishte pësuar një ‘shpërthim katastrofik’ në fund të oqeanit, duke vrarë të pesë personat që ishin në bord.
Roja Bregdetare amerikane ka nisur një hetim për shkakun e shpërthimit nënujor që shkatërroi Titanin.
Frika për sigurinë u ngrit vazhdimisht nga ekspertë të cilët thanë se anija nuk ishte e përshtatshme për thellësitë e mëdha ku udhëtoi.
Roja Bregdetare tha se kishte krijuar një bord detar të hetimit (MBI), nivelin më të lartë të hetimit.
Titan u raportua i zhdukur të dielën e kaluar dhe roja bregdetare tha të enjten se të pesë personat në bordin e zhytësit kishin vdekur pasi anija pësoi një shpërthim katastrofik, raporton telegrafi.
/GazetaSinjali