Parashikimi i motit për 5 ditët e ardhshme nga IHK

2 minutes, 20 seconds Read

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka bërë të ditur se javën e ardhshme, temperaturat maksimale do të zbresin deri në 29 gradë celsius.

Sipas IHK-së të hënën dhe të martën temperaturat do të shkojnë deri në 39 gradë Celsius, ndërsa ditëve tjera gjatë javës do të ketë edhe vranësira dhe reshje të shiut.

“Të hënën do të mbajë mot kryesisht me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 30-35 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i juglindjes”, thuhet në njoftim.

Ndërsa të martën do të mbajë mot kryesisht me diell dhe vapë. Parashihet të jetë dita më e nxehtë e javës së fundit të korrikut. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 16-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 33-39 gradë Celsius, Do të fryjë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme.

Sipas njoftimit, të mërkurën do të ketë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

Në vlerat e temperaturave maksimale do të ketë rënie, ndërsa minimale mbeten kryesisht të larta. Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet16-20 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 28-31 gradë Celsius.

Këtë ditë do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes.

E të enjten parashihet mot me diell dhe vranësira të pjesshme. Vranësirat gjatë ditës vende-vende mund të sjellin reshje shiu.

Ka tendencë që kjo ditë të jetë më e freskët se ditët tjera të kësaj jave, sidomos te vlerat e temperaturave maksimale, pasi që parashihet ulje të temperaturave në të dy vlerat ekstreme.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 25-29 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit e lehtë deri mesatare.

Ndërkaq të premten do të mbajë mot kryesisht me diell. Vranësira të shpërndara parashihen kryesisht rreth relievit malor.

Temperaturat minimale këtë ditë do të zbresin dukshëm në raport me temperaturat e ditëve paraprake.

Minimalet parashihen të lëvizin ndërmjet 8-12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 25-29 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi e lehtë deri mesatare.

“Indeksi UV mbetet i lartë, prandaj apelohet respektimi i këshillave të IKSHP. IHMK shtoi se sipas llogaritjeve të vlerave të temperaturave maksimale, ky muaj do të jetë ndër muajt më të nxehtë për shumë vite të fundit”, thuhet në njoftim.

Publikime te ngjashme