Marrëveshja për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bordin e Paqes, nismë kjo e presidentit amerikan Donald Trump, ka ngecur në sirtarët e Kuvendit të Kosovës. Komisioni për Punë të Jashtme refuzoi të martën procedimin e projektligjit për këtë traktat të nënshkruar nga ish-presidentja Vjosa Osmani, pasi Lëvizja Vetëvendosje kërkoi ndryshime të njëanshme në nenin 2 të dokumentit.
Profesori i të drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, në një prononcim për Gazetën Express, ka alarmuar se një ndërhyrje e tillë është juridikisht e pamundur, duke e cilësuar qasjen e deputetëve të LVV-së si një “papjekuri totale”.
Sipas tij, legjislativi ka kompetencë të plotë mbi ligjet e brendshme, mirëpo kjo fuqi nuk shtrihet mbi zotimet ndërkombëtare të cilat Kosova i ka marrë përsipër.
Hasani sqaron se nëse ligjvënësit kanë vërejtje mbi substancën e marrëveshjes, protokolli kushtetues dhe ai ndërkombëtar kërkojnë ndjekjen e rrugës së njëjtë përmes së cilës është lidhur ky traktat.
“Çdo tentim për ndryshim të njëanshëm, pa pëlqimin e palës tjetër, përbën fyerje diplomatike dhe dëshmon joseriozitet shtetëror, duke u interpretuar automatikisht si tërheqje nga marrëveshja e nënshkruar ligjërisht nga kreu i shtetit”.
Ai shton se Prishtina zyrtare duhet të sqarohet me Uashingtonin nëse synon shkëputjen nga ky zotim, pasi anëtarësimi në Bordin e Paqes kushtëzohet me pranimin integral të të gjitha dispozitave të Kartës së tij./lajmishqip.net
