Osmani: Serbia po bën shovinizëm sikur në vitet e 90-ta, të reagojnë ndërkombëtarët me veprime

3 minutes, 25 seconds Read

Presidentja, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që urgjentisht të bëjnë çmos për ta ndalur, siç ka quajtur ajo, çmenduri që është duke e bërë Serbia derisa po i ndalon dhe po ua merr paligjshëm dokumentet e qytetarëve të Kosovës derisa ata po kalojnë nëpër Serbi për të ardhur në Kosovë. Presidentja tha se kjo qasje e Serbisë është një lloj hakmarrje që është duke e bërë Serbia pas kalimit të suksesshëm të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Është një shovinizëm i pashoqë që e kemi parë edhe në vitet e 90-ta. Është shkelje flagrante e të drejtave të këtyre qytetarëve të cilët kanë të drejtën në lëvizjen të lirë dhe ta kalojnë kufirin në mënyrë që të vijnë deri në Kosovë. Atyre në mënyrë të paligjshme u janë konfiskuar edhe dokumentet. Të gjitha organizatat dhe partneret ndërkombëtar tashmë janë informuar për këto shkelje. Ata po i shohin edhe incizimet, i kanë dëshmitë dhe ju bëjmë thirrje që të gjithë jo vetëm të reagojnë nëpërmjet deklaratave, por edhe të bëjnë çmos që ta ndalin këtë çmenduri të Serbisë”, u shpreh ajo.

Presidentja, Vjosa Osmani, ka kritikuar BE-në për qasje jo të balancuar në proces të dialogut në Bruksel dhe zbatimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Sipas presidentes Osmani, Bashkimi Evropian nuk po i kërkon Serbisë të zbatojë obligimet e saj të marrëveshjes e cila po e shkel pikën e katërt të saj ku flitet për mos pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

‘’Është për keqardhje që kemi një qasje të tillë totalisht të pa balancuar. Në njërën anë ka kërkesa të vazhdueshme nga ana e Kosovës që të zbatojë të gjitha detyrimet nga marrëveshja e Brukselit dhe aneksit të Ohrit, në anën tjetër nuk shohim kërkesa që ta bëjë të njëjtën gjë në mënyrë paralele në të njëjtën kohë. Kjo qasje e pa balancuar e ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë vet kredibilitetin e dialogut dhe mundësinë që ai të ketë sukses. Në mënyrë që t’i kthehet ky kredibilitet dialogut është e domosdoshme që të gjithë aleatët dhe partnerët tanë të bëjnë presionin e nevojshëm në Beograd tek personi i vetëm që nuk është konstruktiv në këtë proces dhe ai është Vuçiqi dhe të kërkohet që të zbatojë pjesën e tij të marrëveshjes që si thelb e ka nenin 4 që kërkon që Serbia të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, tha presidentja për RTV21.

Presidentja Vjosa Osmani tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është standard i Këshillit të Evropës. Sipas presidentes, Kosova duhet t’i menaxhojë pritjet për këtë çështje sepse, siç tha, shtetet anëtare nuk mund të flasin njësoj.

‘’Keni të drejtë se ka pasur trysni të vazhdueshme se Asociacioni të futet si parakusht para votimit në Asamble Parlamentare të Këshillit të Evropës. Jemi shumë të lumtur se një gjë e tillë nuk është pranuar nga shumica dërrmuese. Siç e pash dje disa amendamente të propozuara nga disa deputet nga Serbia dhe vende të tjera u refuzuan masovikisht. Edhe raporti i juristëve eminent që është dokument i cili dorëzohet raportueses, Dora Bakoyannis, dëshmon se themelimi i Asociacionit nuk është standard i Këshillit të Evropës, ashtu edhe citohet në këtë raport. Megjithatë, raporti identifikon si cështje që ka të bëjë me të drejtat e pakicave dhe si kusht pas anëtarësimit. Por, kjo nuk do të thotë se shtetet anëtare do të flasin njësojë”, tha presidentja Osmani.

Publikime te ngjashme