Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 23-vjetorin e sulmeve tragjike të 11 shtatorit, tha se tmerri dhe humbja e pakuptimtë e afër 3000 jetëve kujtojnë brishtësinë e paqes dhe dhimbjen e thellë, të cilën e ka shkaktuar ky akt terrorist.
Në një postim në Facebook, e para e vendit tutje tha se në këtë ditë, Kosova qëndron përkrah popullit amerikan, në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje më të mirë.
“11 Shtatori – ditë dhimbjeje, kujtese dhe solidariteti të palëkundur. Sot shënohet 23-vjetori i sulmeve tragjike të 11 shtatorit 2001, ditë, e cila ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë dhe la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e familjeve të viktimave dhe gjithë botës demokratike”.
“Tmerri dhe humbja e pakuptimtë e afër 3000 jetëve na kujtojnë brishtësinë e paqes dhe dhimbjen e thellë, të cilën e ka shkaktuar ky akt terrorist. Imazhet, pikëllimi dhe ankthi mbeten të gdhendura në kujtesën tonë kolektive”.
“Në këtë ditë ne gjejmë forcën në unitet, duke qëndruar përkrah popullit amerikan, si gjithmonë, në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje më të mirë”, ka shkruar presidentja./GazetaSinjali