Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka marrë me vete në OKB katër gra që kanë pësuar nga lufta e fundit në Kosovë në forma të ndryshme.
Pasi i prezantoi ata në seancën e Këshillit të Sigurimit, përfaqësuesi i rus, Vasily Alekseyevich dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i reaguan.
Vuçiq tha se po flisnin për raportin e UNMIK-ut dhe jo për çka ka ndodhur para 25 vjetësh.
“Dhe ajo që dëgjuam deri tash, ishte si një proces i krimeve të luftës kundrejt serbëve për diçka që ka ndodhur para 25 vjetësh. Asnjë fjalë e vetme për raportim, asgjë për 6 muajt e fundit. Pse nuk na informuan se kush do të ishte pjesë e secilit prej delegacioneve? A besoni vërtet se nuk ka gra të dhunuara serbe në Kosovë gjatë kësaj periudhe?”, tha ai.
Pas tij, reagoi edhe Alekseyevich, i cili tha se Osmani s’do të duhej t’i kishte pas vetes këto gra.
“Zonja Osmani vazhdimisht u kthehet njerëzve që qëndrojnë prapa saj. Ajo është ftuar që të njoftojë dhe pjesmarrja e saj nuk lejon praninë e ndonjë delegacioni afër saj. Njerëzit që janë prapa saj nuk duhej të uleshin këtu ku janë ulur. Kjo është shkelje e protokollit”, tha përfaqësuesi rus.
Presidentja Osmani tha se gratë që i mori me vete, përveçse përfaqësojnë histori të trishta të luftës, janë edhe pjesë e kabinetit të saj.
“Sa i përket çështjes procedurale, përceçse janë avokate të shkathta për drejtësinë, po ashtu janë pjesëtare të kabinetit tim, të emëruara si të tilla. Kështu që janë në kapacitet këshillues, sese ato punojnë për kauzat që i kanë për zemër, për gratë që kanë përjetuar dhunë seksuale dhe përkrahjen e familjeve të këtyre grave”, tha Osmani.
Përfaqësuesi rus i reagoi edhe njëherë.
“Zonja Osmani mund të besojë se ka një kabinet ministrash, këshilltarësh e kështu, mirëpo sipas pikëpamjes sonë ajo nuk ka kabinet dhe nëse beson se ka, ajo është ftuar si person privat”, tha ai.