Organizohet turneu memorial në nderim të Prokurorit special Enver Krasniqi

1 minute, 16 seconds Read

Në nderim të prokurorit special të ndjerë, Enver Krasniqi, i cili dha një kontribut të madh në sistemin e drejtësisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, organizoi sot turneun memorial të futbollit, ku morën pjesë ekipe 10 ekipe nga të gjitha nivelet e organizimit të Prokurorisë së Shtetit.

Finalja e turneut u zhvillua mes Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe Prokurorisë Themelore të Prizrenit, një ndeshje që përfundoi me barazim, ndërsa me penallti triumfoi Prokuroria e Prishtinës.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, tha se turneu ka për qëllim përkujtimin e një figure të çmuar, e cila la gjurmë të pashlyera në sistemin e drejtësisë.

“Enver Krasniqi ishte një njeri me integritet të lartë, një profesionist i përkushtuar dhe një adhurues i madh i sportit. Organizimi i këtij turneu është shenjë respekti për jetën dhe veprën e tij,” tha Isufaj.

Nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Valdet Dumani theksoi se synimi është që ky turne të bëhet tradicional.

Ndërsa, Dren Kaqandolli, nga Departamenti për Hetimin e Krimeve të Luftës, e përshkroi Enver Krasniqin si një profesionist të jashtëzakonshëm dhe një shok të shkëlqyer në fushën e futbollit.

Prokurori Enver Krasniqi ndërroi jetë katër vjet më parë derisa ishte duke luajtur futboll, nëjë sport që aq shumë e ka dashur, por kontributi dhe vlera e tij në drejtësi dhe sport do të kujtohen përherë.

Publikime te ngjashme