Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka lëshuar një alarm serioz për shëndetin mendor në kontinentin europian, duke e cilësuar atë si një “epidemi të heshtur”, veçanërisht në rritje mes të rinjve dhe adoleshentëve.
Sipas një raporti të fundit të OBSH-së, rreth 17% e popullsisë në Europë, ku përfshihet edhe Shqipëria, është e prekur nga çrregullime të shëndetit mendor. Kjo do të thotë se afërsisht 1 në 6 persona në rajon jeton me probleme si ankthi, çrregullimet e humorit dhe depresioni.
Prej kohësh, ekspertët e fushës, përfshirë mjekë psikiatër dhe psikologë, kanë paralajmëruar për një rritje të ndjeshme të këtyre rasteve. Pandemia e COVID-19 shihet si një nga faktorët kryesorë, duke kontribuar në një rritje prej gati 25% të ankthit dhe depresionit.
Një tjetër faktor me ndikim të madh, sidomos tek të rinjtë, janë rrjetet sociale. Të dhënat tregojnë se rreth 11% e adoleshentëve, ose më shumë se 1 në 10, shfaqin probleme të shëndetit mendor të lidhura me sjelljet në botën virtuale. Kjo ka shtyrë shumë shtete të ndërmarrin nisma për të kufizuar aksesin në rrjete sociale deri në një moshë të caktuar.
Shqetësuese mbetet edhe çështja e vetmisë. Raporti thekson se një e katërta e vajzave 15-vjeçare dhe një në katër persona mbi moshën 60 vjeç ndihen të vetmuar pjesën më të madhe të kohës.
Situatën e përkeqëson fakti që një në tre persona me probleme të shëndetit mendor nuk merr trajtimin e nevojshëm. Përballë këtyre statistikave alarmante, ekspertët i bëjnë thirrje qeverive dhe strukturave shëndetësore që ta trajtojnë shëndetin mendor si një prioritet kombëtar dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të frenuar këtë krizë në rritje, raporton lajmishqip.