Nuk i trembet syri dhe qëndron i relaksuar, si e ruan qetësinë snajperisti ukrainas në vijën e frontit në Bakhmut

1 minute, 0 seconds Read

Një video drithëruese e publikuar nga një përdorues në Twitter tregon një ushtar ukrainas që po lufton në vijën e parë të frontit në Bakhmut, ku aktualisht po zhvillohen luftimet më të ashpra.

Përkundër presionit, nga bombardimet e vazhdueshme që dëgjohen në sfond ushtari ukrainas qëndron shumë i qetë dhe i fokusuar në misionin e tij.

“Luftimet po vazhdojnë nga të gjitha anët, po e vërej nga pajisja e zmadhimit të armës. Armiqtë tanë po përpiqen të vrapojnë në llogoret e njësisë së shokëve tanë”, thotë ushtari ukrainas në një video ku flet në gjuhën angleze.

“Unë thjesht i shikoj ata përmes pajisjes dhe e bëjë atë çfarë duhet bërë. Minat shpërthejnë gjithandej”.

Në këtë video luftëtari ukrainas qëndron i shtrirë dhe ka kamufluar snajperin e tij me një rrjet, por bombardimet e fuqishme dëgjohen në sfond.

“Jam 100 për qind i koncentruar dhe i relaksuar. Gjendem diku afër Bakhmutit”, vazhdoi ai mes tjerash.

Përkundër bombardimeve që dëgjohen në sfond atij nuk i trembet syri dhe ruan pozicionin e tij./Telegrafi

Publikime te ngjashme