Një muaj paraburgim për të dyshuarin për vrasjen e argjentinases në Fushë Kosovë

1 minute, 29 seconds Read

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prshtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.N, i dyshuar për veprën penale “Vrasje”.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.N dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit E.N, ngase ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurit, pasi që i njëjti është shtetas i Zvicrës dhe nëse i pandehuri gjendet në liri i njëjti do të mund të ikë me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale dhe do të ishte i paarritshëm për organet e ndjekjes.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri E.N, me datë 01.08.2023 rreth orës 01:59 minuta në rrugën “ Nënë Terezë” në Fushë Kosovë, pas një mosmarrveshje paraprake me të dëmtuarën, tani të ndjerën M.K.U, të njëjtën e privoi nga jeta duke e hedhur nga dritarja e dhomës së hotelit, nga kati gjashtë, me ç’rast e ndjera kishte pësuar lëndime trupore, e që edhe përkundër trajtimit mjekësor, e njëjta kishte ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Publikime te ngjashme