Nga MD thonë se drafti i Kodit Civil pothuajse është finalizuar, së shpejti procedohet për votim

3 minutes, 46 seconds Read

Kodi Civil shumë shpejtë do të do të procedohet për votim në Qeveri, e pastaj në Kuvend.

Kjo, pasi që drafti i tij pothuajse është finalizuar.

Kështu thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për Front Online.

Por, se koha nuk është saktësuar.

Gjatë shqyrtimit në parim, mospajtimet kryesore ndërlidheshin me nenin 1138, i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë.

E, nga ministria kanë thënë se janë bërë ndryshimet edhe në këtë nen.

“Drafti i Kodit Civil tashmë pothuajse është i finalizuar, me ndryshimet adekuate edhe në nenin 1138. Shumë shpejtë, posa të finalizohet nga Zyra e Kryeministrit, i njëjti do të jetë publik dhe do të procedohet për votim”, thuhet në përgjigjen e MD-së, për Front Online.

Nga Ministria kanë treguar edhe ndryshimet që janë bërë në Kodin Civil.

“Ndryshimet në Kodin Civil janë: Parimeve dhe barazisë të gjithë qytetarëve para ligjit dhe mos-diskriminimi; Burimet e së drejtës civile; Harmonizimi me direktivat e BE-së dhe Acquis comunitares dhe standardet tjera ndërkombëtare;

-Harmonizimi i dispozitave ligjore të ligjit për detyrimet duke i evituar konfliktet e ligjit dhe paqartësitë; Sqarimi dhe lehtësimi i zbatimit të ligjit – dispozitave për kontratat që do të ndikon edhe në të bërit biznes dhe sigurinë më të madhe të qytetarëve; Janë saktësuar afatet e parashkrimit (humbjes ) së kërkesave – të drejtave nëse ato nuk kërkohen me kohë, p.sh borxhit, përmbushjes së kontratave, kompensimin e dëmit etj”, thuhet në përgjigje.

Po, ashtu janë sqaruar edhe të drejtat pronësore në raportet familjare.

“Janë sqaruar të drejtat pronësore; Shumë aspekte të mënyrave të fitimit të pronësisë janë përfshi si dispozita të reja që nuk kanë qenë deri me tani p.sh fitimi i pronësisë me vendim të organit shtetëror, me bashkimin e sendeve’

Nga kjo ministri thonë se është siguruar më mirë barabarësia para ligjit për të gjithë personat në raportet familjare.

“Është siguruar një mbrojtje më e mirë e të drejtave pronësore për gratë, ku pasuria është e barabartë 50%:50% për secilin bashkëshortë; Është arritur një siguri më e madhe e mbrojtjes së fëmijëve dhe bashkëshortit/es gjatë shkurorëzimit; Të drejtat e fëmijëve janë rregulluar në pajtim me standardet më të mira ndërkombëtare që gjithmonë të mbrohet interesi më i mirë i fëmijëve, duke i dhënë mundësi edhe fëmijës 6 vjeçare që të dëgjohet në çdo procedurë kur vendoset për interesat; Çështja e martesave të personave me sekse të njëjta dhe bashkëjetesave civile është adresuar ashtu që do të rregullohet me ligj të veçantë”, kanë bërë me dijë nga ministria për Front Online

Ndryshime ka pasur edhe në të drejtat e trashëgimisë tek gratë.

Nga Ministria e Drejtësisë thonë se janë hartuar dispozita ligjore që garantojnë barabarësinë efektive në trashëgimi duke u siguruar që edhe gratë të arrin ti realizojnë më mirë të drejtat e trashëgimisë.

“Heqja dorë nga trashëgimia si e drejtë e trashëgimtarëve, mund të bëhet vetëm duke u siguruar një procedurë transparente dhe njoftuar palët/trashëgimtarët me pasojat që ka heqja dorë; Bashkëshortët që jetojnë në Bashkëjetesë të cilët nuk kanë lidhur martesë dhe nuk kanë metresë me persona tjerë, e kanë të drejtën e trashëgimisë nëse kjo bashkësi ka zgjatur 5 vite, ndërsa në rastin kur kanë fëmijë të ketë zgjatur 3 vite”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e MD-së.

Qëndrim të njëjtë kanë edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kundër, Projekt Kodit Civil në herën e parë kanë votuar këta deputetë: Labinotë Demi – Murtezi (LVV), Eman Rrahmani (LVV), Burim Karameta (LVV), Gramoz Agusholli (LVV), Visar Korenica (LVV), Driton Hyseni (LVV), Fitim Haziri (LVV), Drita Millaku (LVV), Fjolla Ujkani (LVV), Ekrem Mustafa (LVV), Alban Bajrami (LVV), Valon Ramadani (LVV), Milazim Salijaj (LVV), Nijazi Isaku (LVV), Besnik Tahiri (AAK), Time Kadrijaj (AAK), Pal Lekaj (AAK), Bekë Berisha (AAK), Albana Bytyçi (AAK), Mërgim Lushtaku (PDK).

Kundër kanë votuar edhe deputetët e komuniteteve jo-shumicë./Front Online

Publikime te ngjashme