Nënkryetarja serbe e Parlamentit të KiE përgëzon Hungarnë ndërsa ndihet e dëshpruar nga Greqia

1 minute, 37 seconds Read

Nënkryetarja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, përfaqësuesja serbe Elvira Kovaç ka deklaruar se Hungaria, e cila votoi kundër, ishte befasia më e madhe në votim për pranimin e kërkesës së Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës.

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës pranoi kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Kjo është faza e parë e pranimit e anëtarësimit në këtë organizatë. Pason deklarata e Asamblesë Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësues kombëtarë të shteteve anëtare, transmeton Paparaci.

“Edhe pse lista e vendeve duhet të jetë sekrete, 33 vende anëtare votuan për, kurse bashkë me Serbinë shtatë vota ishin kundër, pesë abstenuan, ndërsa një vend nuk mori pjesë në votim. Befasia më e madhe “e këndshme” ishte Hungaria, e cila votoi kundër. Vendet e tjera (që ishin kundër) janë miq tradicionalë të Serbisë dhe kjo pritej prej tyre”, thotë Kovaç.

Sipas saj, Greqia, Ukraina, Sllovakia dhe Bosnja dhe Hercegovina abstenuan.

Ajo tha se procedura e mëtejshme kërkon votim në Këshillin e Evropës, i cili parashikohet se do të zhvillohet, për shkak të procedurave, nga disa muaj deri në dy vjet.

Ajo tha se delegacioni serb do të vazhdojë të marrë pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Si dikush që kam marrë pjesë në punën e këtij organi për 16 vjet, sinqerisht shpresoj se nuk do të marrim udhëzime për ta braktisur atë. Ambasadorja serbe u largua nga ky takim. Ne kemi vënë re në mesin e politikanëve se qëndrimet e Greqisë janë zbutur dhe kanë ndryshuar, dhe se miqtë tanë më të sinqertë, përveç Hungarisë, janë Spanja, Qiproja dhe Azerbajxhani”, përfundon Kovaç.

Publikime te ngjashme