Deputeti gjerman, Peter Beyer, gjatë një fjalimi në Bundestag, ka kërkuar çmontimin e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës, duke i cilësuar ato si kërcënim serioz për rendin dhe sigurinë. Fjalimi i tij u bë publik përmes një postimi nga Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili theksoi rëndësinë e mesazheve të deputetit.
Beyer nënvizoi se lufta kundër strukturave kriminale dhe grupeve të dhunshme duhet të vazhdojë pa kompromis. “Zbulimi i fundit i një arsenali armësh në veri është dëshmi e qartë e rrezikut që përfaqësojnë këto struktura për sigurinë dhe stabilitetin,” citohet të ketë thënë Beyer. Ai gjithashtu rikujtoi vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në mars, duke e quajtur angazhimin e aleancës në rajon si thelbësor.
Nga ana e tij, Ambasadori Ajeti e falënderoi deputetin Beyer për qëndrimin e tij të qartë dhe përkrahjen e palëkundur që ai i jep sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës brenda parlamentit gjerman, raporton lajmishqip.