Ndalimi i Radhës | MPJD Konfirmon Arrestimin e një Kosovari në Merdarë dhe Lëshon Thirrje të Prerë: Mos Kaloni nëpër Serbi

1 minute, 15 seconds Read

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka konfirmuar arrestimin e shtetasit të Kosovës, Hazir (Arif) Haziri, nga autoritetet serbe dhe ka lëshuar një thirrje urgjente për të gjithë qytetarët që të shmangin kalimin tranzit nëpër Serbi për arsye sigurie.

Sipas njoftimit zyrtar, Haziri u ndalua ditën e hënë, më 8 shtator 2025, në pikën kufitare të Merdarës teksa po hynte në territorin serb me automjetin e tij privat. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka kërkuar sqarime zyrtare nga autoritetet në Beograd për arsyet ligjore të këtij ndalimi.

Për rastin janë vënë në dijeni edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi dhe përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të Quint-it. MPJD ka bërë të ditur se nëse ndaj Hazirit caktohet masa e paraburgimit, do të kërkohet menjëherë leje për një vizitë zyrtare në qendrën e ndalimit.

Në reagimin e saj, Ministria e Jashtme thekson se ky rast është pjesë e një praktike represive nga autoritetet serbe. “Rritja e rasteve të ndalimeve dhe maltretimeve të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe përbën shkelje të frymës së dialogut dhe marrëveshjeve të nënshkruara”, thuhet në komunikatë, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të reagojë ndaj këtyre veprimeve që cenojnë të drejtat themelore të njeriut./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme