Janë duke u bërë përgatitjet finale për transferimin e sistemeve shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot drejt Ukrainës, me synimin që kjo të ndodhë “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Kështu ka deklaruar komandanti më i lartë ushtarak i NATO-s, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare.
Duke folur në një konferencë në Wiesbaden të Gjermanisë, komandanti Alexus Grynkewich tha: “Përgatitjet janë në proces dhe po punojmë ngushtë me Gjermaninë për transferimin e sistemeve Patriot”, raporton lajmishqip.
“Udhëzimet që kam marrë janë të qarta: dërgesa duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot konsiderohen tejet efektive kundër armatimit të sofistikuar rus, përfshirë raketat balistike.
Me një rreze të radarit që kapërcen 150 kilometra, këto sisteme janë jetike për mbrojtjen e zonave të gjera civile dhe të infrastrukturës kritike.
Përtej kapaciteteve teknike, dërgimi i sistemeve Patriot shërben si një sinjal i fortë i mbështetjes së SHBA-së dhe NATO-s për Ukrainën, duke forcuar moralin dhe duke demonstruar angazhimin politik ndaj Kievit, raporton lajmishqip.