Nagavci: Para se t’i blejnë tekstet, prindërit të konsultohen me mësimdhënësit

1 minute, 18 seconds Read

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se deri më tani 92 mijë prindër kanë aplikuar në e-Kosova për subvencionim të tektsteve shkollore.

Ajo ka shtuar se ministria është në proces të aspekteve teknike për transferim të mjeteve në xhirollogaritë e prindërve.

“Sa i përket rasteve kur nxënësit janë 5 vjeç, pagesa do të bëhet pas verifikimit të rasteve. Mundësia për të aplikuar do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator, me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekste shkollore”, ka shkruar Nagavci në Facebook

Nagavci ka shtuar se çdo ankesë rreth aplikimit do të shqyrtohet nga dikasteri që ajo e drejton.

“Çdo identifikim i abuzimit me çmime të teksteve ose ofrimit të teksteve pa pasur vendim të MASHTI si dhe çfarëdo rasti tjetër i kësaj natyre, do të adresohet tek autoritetet kompetente”, ka shkruar Nagavci.

Nagavci ka shtuar se kanë kërkuar nga DKA-të që të publikojnë listën për tekste shkollore dhe sipas informatave që i kanë, shumica e shkollave tashmë i kanë publikuar tekstet e zgjedhura nga aktivat profesionale.

“Po ashtu, mësimdhënësit tashmë kanë filluar t’i ndajnë këto lista me prindërit andaj, lus prindërit që para se t’i blejnë tekstet të konsultohen me mësimdhënësit”.

“Shtëpitë botuese kanë publikuar katalogjet e teksteve mësimore me çmimet përkatëse dhe janë zotuar se çmimet nuk do të rriten”, ka shkruar ajo.

Publikime te ngjashme