Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se deri më tani janë dorëzuar 23,118 lëndë përmbarimore kundër komunave në Thesarin e Shtetit, si pasojë e një kontrate kolektive të nënshkruar në mënyrë të paligjshme.
Sipas Muratit, shuma totale e kërkuar për përmbarim ka arritur në 35.8 milionë euro, ku:
- 25.6 milionë euro janë borxhe ndaj përfituesve,
- 10.2 milionë euro janë tarifa për përmbaruesit.
“Asociacioni i Komunave ka bërë të ditur se dëmi buxhetor tashmë ka tejkaluar shumën prej 100 milionë eurosh. Megjithatë, deri tani nuk kemi dëgjuar për ndonjë rast të hapur nga prokuroria ndaj atyre që kanë nënshkruar në mënyrë të paligjshme dhe kanë shkaktuar këtë dëm”, deklaroi Murati.
Ai gjithashtu ngriti shqetësime mbi abuzimet me tarifat e përmbaruesve, duke theksuar se në shumë raste, tarifa e përmbarimit tejkalon edhe vlerën e borxhit të përmbaruar.
Kjo situatë pritet të hapë një debat të gjerë mbi përgjegjësinë institucionale dhe veprimet e mundshme të organeve të drejtësisë për trajtimin e kësaj çështjeje.