“Mund të ndodhë përsëri”/ Woelk flet për sulmin në Banjskë, sanksionet dhe anëtarësimin e Kosovës në BE

1 minute, 57 seconds Read

Asistentja e Parlamentit Evropian, Federica Woelk, ka deklaruar se Bashkimi Evropian nuk duhet t’i mbyllë sytë karshi sulmit terrorist në Banjskë.

Në një intervistë ekskluzive për Indeksonline, Woelk ka deklaruar se një sulm i tillë mund të ndodhë përsëri, teksa paralajmëron se Serbia është destabilizuese në veri të Kosovës.

“Mendoj se Parlamenti Evropian e mori mesazhin dhe e kuptoi se në fakt ishte një sulm shumë i tmerrshëm dhe e kuptoi edhe implikimin serb në këtë sulm. Por ende kam frikë se mungon vetëdija e plotë se sa i rrezikshëm ka qenë dhe është ky sulm për Kosovën. Kam përshtypjen se ka ndjesinë “OK, ishte sulm. Kaq dhe vazhdojmë”. Por ne duhet të vazhdojmë të jemi të vetëdijshëm për faktin se mund të ndodhë përsëri. Nuk është se ishte një herë dhe kaq. Është një problem. Po ashtu, destabilizimi i Serbisë në veri të Kosovës është problem dhe duhet të flasim për të dhe ta kalojmë”, deklaroi ajo.

Duke folur për marrëdhëniet Kosovë-BE, Woelk pohon se Kosova është e respektuar në Union dhe se problemi kryesor në ngecjen e Kosovës në procesin integrues është mosnjohja e pavarësisë nga pesë shtetet anëtare.

E pyetur për sanksionet ndaj Kosovës, asistentja e Parlamentit Evropian thotë se ato kanë qenë masë ekstreme dhe do të duhej t’i ishin vënë Serbisë.

“Mendoj se sanksionet ndaj Kosovës nuk ishin plotësisht të justifikuara. Mendoj se për sa i përket situatës në veri, qeveria ka mundur t’i trajtojë gjërat ndryshe. Por nuk mendoj se sanksionet ishin plotësisht të justifikuara, sepse ato ishin një masë ekstreme. Pra, mezi pres heqjen e menjëhershme të sanksioneve. Serbia duhet të sanksionohet. Edhe me pak sanksione, edhe me ngrirjen e fondeve evropiane, ose të paktën me suspendimin e negociatave për anëtarësim, sepse shohim se në Serbi kemi probleme të plota me sundimin e ligjit, me lirinë e mediave, me shumë çështje, në fakt. Dhe provokimi i vazhdueshëm ndaj Kosovës dhe refuzimi i qartë i njohjes së pavarësisë së Kosovës është problemi kryesor për rrugën e Serbisë”, tha Woelk.

Ndiqeni intervistën e plotë për Indeksonline:

Publikime te ngjashme