“Mossad-i” serb si mjet kërcënimi: Sveçla zbardh prapaskenat e rrezikshme pas deklaratave të Vulinit

4 minutes, 16 seconds Read

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar ndaj deklaratës së Aleksandër Vulinit. Ish-shefi i BIA-s, Aleksandar Vulin, aktualisht kryetar i Lëvizjes Socialiste në Serbi, ka kërcënuar me sulme kundër Kosovës dhe çdo individi që, sipas tij, ndjek politika antiserbe. Vulin, në një emision në mediat serbe, ka thënë se Serbia duhet të veprojë në Kosovë ashtu siç, sipas pretendimit të tij, vepron Izraeli përmes Mossadit kundër atyre që i konsideron armiq. Ai këtu ka përmendur edhe kryeministrin Kurti.

Këtë deklaratë të Vulinit, Sveçla e ka quajtur kërcënim të hapur, dhe precedent të rrezikshëm ndaj Republikës së Kosovës dhe kryeministrit Kurti.  Sveçla ka thënë se përpjekjet e Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit duhet të kenë vëmendjen e plotë të faktorëve relevantë ndërkombëtarë.

e designplus-ks.com
Smart Watches
Buy Now
Headphones
Buy Now

“Kjo deklaratë përbën një precedent të rrezikshëm dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit të saj, z. Albin Kurti. Përveç lidhjeve të dokumentuara me Rusinë, Vulin njihet gjerësisht si zë artikulues i qëndrimeve të Presidentit Aleksandar Vucic.

Institucionet e Republikës së Kosovës, në nivel të lartë profesionalizmi, po e përmbushin mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor. Ato janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi në mënyrë profesionale dhe në përputhje me ligjin. Njëkohësisht, ne si bartës të institucioneve nuk zbrapsemi përballë këtyre kërcënimeve dhe do të vazhdojmë rrugën tonë drejt forcimit të Republikës sonë të pavarur dhe sovrane. Përpjekjet e Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit duhet të kenë vëmendjen e plotë të faktorëve relevantë ndërkombëtarë”, ka shkruar ai ndër tët jera.

Reagimi i plotë:

Deklarata e ish-drejtorit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, e bërë në kontekst të zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, ku ai përmend modelin e Mossad-it dhe shtron pyetjen “kur mundet Izraeli, pse nuk mundemi edhe ne”, është e papranueshme dhe thellësisht kërcënuese.

Të importosh analogji nga një konflikt me dinamikë lufte të hapur, kërcënime të armatosura dhe operacione të shpallura kundër aktorëve të konsideruar armiq, dhe t’i aplikosh ato në raport me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, nënkupton normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë në Ballkan.
Është e njohur se Aleksandar Vulin ka pasur marrëdhënie të ngushta politike e institucionale me Rusinë, përfshirë struktura të inteligjencës, si dhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vucic. Për shkak të aktivitetit të tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vendosur në listën e sanksioneve, duke përmendur ndër të tjera lidhje dhe bashkëpunim me aktorë rusë të inteligjencës.
Historia jonë e afërt dëshmon se strukturat e inteligjencës serbe kanë qenë të përfshira në vrasjen e veprimtarëve të shquar politikë shqiptarë, si Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Prandaj, kur Vulin deklaron se inteligjenca serbe “di ta bëjë këtë”, ai i referohet një precedenti të rrezikshëm. Mbetet i papranueshëm tolerimi i gjuhës kërcënuese dhe i aspiratave për veprime të dhunshme apo cënim të sovranitetit të vendeve të tjera.

Në këtë kontekst, në javën e dytë të muajit shkurt, dy shtetas bjellorusë dhe një shtetas rus, pasi fillimisht kishin qëndruar në Serbi, hynë ilegalisht në Kosovë të kamufluar. Ata u ndaluan dhe u arrestuan nga institucionet tona të sigurisë dhe rasti është në trajtim. Përveç përvojës së tyre ushtarake, trajnimeve specialistike me eksploziv dhe lidhjeve me Serbinë, ata posedonin pajisje për orientim, kamuflim dhe realizim të planeve operative – elemente që përkojnë me retorikën e artikuluar nga Vulin.

Kjo deklaratë përbën një precedent të rrezikshëm dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit të saj, z. Albin Kurti. Përveç lidhjeve të dokumentuara me Rusinë, Vulin njihet gjerësisht si zë artikulues i qëndrimeve të Presidentit Aleksandar Vucic.

Institucionet e Republikës së Kosovës, në nivel të lartë profesionalizmi, po e përmbushin mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor. Ato janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi në mënyrë profesionale dhe në përputhje me ligjin. Njëkohësisht, ne si bartës të institucioneve nuk zbrapsemi përballë këtyre kërcënimeve dhe do të vazhdojmë rrugën tonë drejt forcimit të Republikës sonë të pavarur dhe sovrane.

Përpjekjet e Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit duhet të kenë vëmendjen e plotë të faktorëve relevantë ndërkombëtarë.
E as Vulin, as Vuçiq, as nuk mund të na frikësojnë e as të na ndalin.

Publikime te ngjashme